Rezart Beka, një studiues musliman nga Tirana i tre besimeve me rrënjë abrahamike– Islamit, Krishtërimit dhe Judaizmit – ndër të rrallët në botën shqiptare në shkencën e krahasimit mes këtyre tre feve, i përcjell grupit të Deçanit, apo atyre kosovarëve që kinse konvertohen në “fenë e të parëve”, se çfarë thotë kjo feja e të parëve për fenë të cilën ata e braktisin, edhe pse pa qenë asnjë ditë muslimanë klasikë.

Në fakt nuk bëhet fjalë për konvertim të natyrës teologjike – pra, si njerëz që e gjetën të vërtetën sublime te një besim pas kohësh duke qerthulluar në kërkim të saj, si pasojë e kësaj apo asaj përvoje njerëzore, diku apo dikur.

Akti i tyre, teologjikisht është një budallallëk me brirë, unik në historinë e botës, siç është i tillë dhe konvertimi në emër të atdhedashurisë(!!!).

Por çfarë u përcjell studiesi Beka atyre?

I sfidon paq, duke i nxjerrë edhe padijshëm, siç në fakt janë, gjë që është parë prej javësh në llojin e broçkullave që thonë, si të qenë personazhe estradeskë.

“Kemi dëshirë që anëtarëve të grupit të Deçanit që janë konvertuar rishtazi në katolicizëm t’u vijmë në ndihmë e t’u tregojmë se çfarë thotë katolicizmi rreth Islamit, në mënyrë që herë tjetër të dinë se si duhet të flasë një katolik rreth Islamit.

Teksti i mëposhtë është nga dokumenti i Këshillit të dytë të Vatikanit, Nostra Aetate, aprovuar dhe publikuar në vitin 1965.

Ky doument, i cili konsiderohet si një nga dokumentet më të rëndësishme të Kishës Katolike në lidhje me Islamin, në paragrafin e tij të tretë thotë:

Kisha çmon edhe myslimanët të cilët adhurojnë Perëndinë një, të gjallë e që rron, të dhembshur dhe të plotfuqishëm, Krijues i qiellit dhe i tokës, i cili u ka folur njerëzve. Ata bëjnë çmos që t’u nënshtrohen me gjithë zemër dekreteve të Tij, madje edhe atyre të fshehta, pikërisht sikurse iu nënshtrua Abrahami, të cilit feja islame i referohet me kënaqësi. Edhe pse ata nuk e njohin Jezusin si Hyj, ata gjithëqysh e përnderojnë Atë si pejgamber. Nderojnë nënën e tij të papërlyer, Marinë; dhe herë herë e evokojnë atë me devotshmëri. Krahas kësaj, presin ditën e gjykimit, kur Perëndia do të vërë në peshore të gjithë njerëzit e ringjallur. Po ashtu ata çmojnë jetën morale dhe adhurojnë Perëndinë, mbi të gjitha me lutje, lëmoshë dhe agjërim.

Ndonëse në vazhdën e shekujve jo pak mospajtime dhe armiqësi kanë ngritur krye mes të krishterëve e myslimanëve, Koncili i shenjtë i nxit të gjithë që të harrojnë të kaluarën dhe të ushtrojnë me sinqeritet mirëkuptimin e përbashkët, si edhe të mbrojnë e promovojnë së bashku drejtësinë sociale, vlerat morale, paqen dhe lirinë për të gjithë njerëzimin”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko