Një video që u bë virale që tregon ndikimin e bllokadës së Shangait tek banorët e saj është fshirë nga interneti kinez nga censuruesit, duke shkaktuar konfuzion dhe zemërim tek përdoruesit e internetit sot.

Kryeqyteti financiar i Kinës, me një popullsi prej 25 milionë banorësh, po përballet me shpërthimin e tij më të keq koronar që nga fillimi i pandemisë. Ministria e Shëndetësisë aty njoftoi 12 vdekje të reja dhe më shumë se 23,000 raste të reja të koronavirusit në Shangai.

Ata që u shuan ishin mesatarisht 88 vjeç, sipas qeverisë së Shangait. Të gjithë kishin sëmundje të tjera dhe asnjëri prej tyre nuk ishte i vaksinuar.

Autoritetet vendore e atribuojnë këtë rritje të re të rasteve kryesisht me mbipopullimin në disa pallate të vjetra, ku kuzhina dhe tualetet janë të përbashkëta.

Pothuajse të gjithë banorët janë izoluar që nga fillimi i prillit. Shumë e kanë të vështirë të marrin produkte të freskëta dhe të vizitohen nga ndonjë mjek.

Videoja gjashtë minutëshe, “Zëri i Prillit”, është një montazh i zërave të banorëve të regjistruar gjatë xhirimeve ajrore.

Në të dëgjohen banorët që ankohen për mungesën e ushqimeve dhe ilaçeve, por edhe për trajtimin e ashpër të tyre nga autoritetet.

Krijuesi i videos u ka shtuar këtyre pamjeve bardh e zi, në renditje kronologjike, një sërë tingujsh nga konferencat për shtyp, video të postuara në rrjetet sociale apo telefonata nga banorët.

Videoja fillon me zërat e politikanëve që deklarojnë, në fillim të epidemisë në mars, se një bllokim i shkurtër paraprak nuk do të ishte i përshtatshëm për shkak të implikimeve të tij financiare.

Ky hezitim fillestar çoi në shpërthimin e numrit të rasteve pozitive që më në fund shkaktuan bllokimin e sotëm, i cili pritet të zgjasë për disa javë.

Videoja u shpërnda në masë të premten mbrëma në rrjetin social WeChat. Por censuruesit arritën të fshinin çdo gjurmë të tij brenda pak orësh.

Të gjitha referencat për këtë u fshinë gjithashtu nga mikroblogu i Weibo, por disa komente që kritikonin censurën mbetën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re