Ministri Bledi Çuçi ka pajisur me pasaportë shqiptare sportisten italiane dhe familjen e saj.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale Çuçi ka njoftuar se Lara Colturi do të garojë në sprtin e skive për flamurin tonë Kombëtar.
Ndërsa nëna e sportistes, një ish-skiatore kampione, Daniela Ceccarelli do të drejtojë ekipin tonë kombëtar në këtë disiplinë
“Kënaqësi e veçantë t’i jap pasaportën shqiptares më të re, Lara Colturi, e cila do të garojë shumë shpejt me flamurin tonë kombëtar në sportin e skive. Me kombësi dhe gjithashtu shtetësi italiane, Lara është një sportiste plot talent dhe shumë premtuese, me të cilën Shqipëria i ka të gjitha shanset të ketë një kampione olimpike.
Edhe nëna e Larës, Daniela Ceccarelli, një ish kampione olimpike në sportin e skive, tashmë do të drejtojë ekipin tonë kombëtar në këtë disiplinë. Një falënderim i veçantë për “kumbarin” e kësaj iniciative, presidentin e Federatës së Skive, Elvis Toçi dhe kryetarin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli.
Falë vendosmërisë së tyre dhe kontributit të çmueshëm kjo nismë u kurorëzua me sukses. Mbarë e mirë në karrierën tuaj tashmë për flamurin kuqezi dhe ta gëzoni pasaportën shqiptare”, shkruan Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.



