Ministri i Brendshën Bledi Çuçi, ishte sot në Vlorë për të parë nga afër gjendjen e krijuar së fundi për shkak të reshjeve intensive të shiut.

Bashkë me Prefektin e Qarkut dhe drejtues të tjerë lokal të Shtabit të Emergjencave, ministri qëndroi te Ura e Mifolit, ku niveli i prurjeve të Vjosës gjatë orëve të fundit është ulur me rreth 2 metra.

“Për fat të mirë sot situata paraqitet e stabilizuar, falë edhe disa ndërhyrjeve që janë bërë në disa pika problematike të rrjedhës së Vjosës. Gatishmëria është e plotë edhe nga Policia e Shtetit njësoj si strukturat e tjera të emergjencave. Kam dhënë urdhër që edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të jenë në gatishmëri të plotë për t’ju përgjigjur çdo nevoje të mundshme gjatë këtyre ditëve”, tha ministri Çuçi.

Ministria e Brendshme njofton se në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore të qarkut Vlorë janë ngritur dhe funksionojnë Këshillat e Emergjencave, të cilat sipas tyre koordinojnë punën për monitorimin dhe menaxhimin e situatës së krijuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re