“Vetëm nisja e procesit të vaksinimit masiv, është arsye e mjaftueshme që më 25 prill ky proces të mos ndërpritet dhe qeveria Rama të vazhdojë planin për çlirimin e vendit nga një virus që ka kushtëzuar jetesën e çdo individi prej më shumë se një viti”.

Kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe njëherazi kandidati për deputet i PS-së në qarkun Gjirokastër teksa ishte në një takim elektoral në fshatin Labovë e Madhe. Sipas tij tërmeti dhe pandemia ishin dy sfida shumë të mëdha për Shqipërinë, që u përballuan me sukses nga kjo qeveri duke dhënë kështu një tjetër shembull të fortë se përse do duhet që Partia Socialiste dhe Edi Rama të marrin një mandat të tretë.

“Sigurimi i një sasie kaq të madhe dozash, është fryt i një këmbënguljeje të madhe të kryeministrit Rama dhe i një bashkëpunimi të shkëlyer të qeverisë me partnerët e Shqipërisë, që asnjë qeveri tjetër nuk do të mund ta arrinte”, tha më tej Çuçi.

Sa i përket investimeve në zonë, Çuçi foli për projektin e një unaze që lidh Laboven e Madhe me Çajupin, duke krijuar në këtë mënyrë një përspektivë për zhvillimin e agroturizmit. Duke iu rikthyer kohës kur ishte Ministër i Bujqësisë, Çuçi evidentoi rritjen e buxhetit për mbeshtetjen e blegtorisë nga fondet e qeverisë, si dhe aplikimin online të fermerëve për të eleminuar korrupsionin dhe burokracitë. Prej dy vitesh aplikimet për subvencionet në bujqësi bëhen përmes portalit E Albania. Ai kërkoi mbështetje me votë në 25 prill për Partinë Socialiste si e vetmja forcë që mund të çojë përpara punët e bëra deri më tani, duke shtuar se edhe kundërshtarët politikë në sondazhet e tyre e pranojnë që janë humbës në zgjedhjet e 25 prillit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re