Tiranë, 6 qershor Ndalesa e radhës e turit të falënderimeve të Partisë Socialiste ishte në Berat.

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Beratin, Bledi Çuçi, gjatë këtij takimi e cilësoi si një rezultat historik fitoren e PS-së në të pesta bashkitë e qarkut Berat dhe jo vetëm në garën për kryetar, por edhe me një rezultat bindës sa i takon këshillave bashkiakë.

“Partia Socialiste e vetmja forcë që mund ta çojë përpara Shqipërinë dhe e vetmja forcë që është shpresë për shqiptarët. Faleminderit që na besuat dhe na dhatë fitoren në 5 bashkitë, si në nivel kryetari, si në nivel këshilli”, tha ai.

Çuçit shtoi se tashmë drejtuesit lokal dhe Partia Socialiste u ka një borxh të madh qytetarëve, që duhet t’jua shlyejë deri në ditën e fundit të mandatit.

“Nuk është e lehtë ta mbash fitoren. Por, të dashur miq, sigurisht që fitorja vjen pa diskutim dhe sidomos kur është në këto përmasa dhe me një barrë mbi supe për ne. Ne duhet t’jua shpërblejmë, duhet të punojmë më fort, që të shpërblejmë besimin që ju na keni dhënë. Jemi këtu sot të zotohemi për këtë. Në këto katër vite, siç edhe ju thamë në fushatë, ne do jemi këtu bashkë me ekipin, kryetarët, këshillat bashkiakë, gjithnjë e më tepër pranë jush dhe për ju. Ky është një premtim që do ta mbajmë deri ditën e fundit të mandatit”, u shpreh Çuçi.

Sipas tij, ka ende vend për t’u përmirësuar dhe veçanërisht thirrja ishte për kryebashkiakët.

“Si asnjëherë tjetër kemi fituar me shumicë absolute të gjitha këshillat bashkiakë, çka konfirmon forcën e Partisë Socialiste. Dua të falënderoj dhe ata njerëz që na kanë kritikuar gjatë fushatës, por që na e kanë dhënë votën, edhe ata njerëz që na kanë refuzuar me votë. Është një mësim shumë i mirë edhe për ekipet e reja që do dalin në krye të ekipeve vendore në të pesta bashkitë. Mësim i mirë dhe për kryetarët e bashkive. Kemi pasur raste që këshilli bashkiak ka fituar më shumë vota se kryetari dhe kjo tregon se ka vend për t’u përmirësuar dhe për të kuptuar se mund të bëhet më mirë”, nënvizoi Çuçi.

/r.e/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re