Jemi mësuar shpesh të dëgjojmë histori të ndryshme mbi tentativat që të burgosurit tentojnë të fusin droge dhe celulare në burg përmes familjareve të tyre.
 
Rasti i fundit i çuditshëm është zbuluar dhe parandaluar në ambientet e burgut të Lezhës.
 
Gjatë orës së ajrimit të të burgosurve është hedhur nga jashtë një top futbolli i fryrë. Topi është konstatuar nga punonjësit e shërbimit të cilët e kanë bllokuar menjëherë. Janë bërë verifikimet e nevojshme dhe janë kontrolluar kamerat e sigurisë.
 
Brenda topit janë gjetur tre celularë, dy Iphone dhe një Samsung, bashkë me karikuesit dhe dy karta celulari të pahapura.
 
Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve po kryen të gjitha hetimet e nevojshme për rastin në fjalë, për të identifikuar përgjegjësit.
 
Duhet theksuar se në aksionin e zhvilluar në rang vendi pak javë më parë në burgje u sekuestruan 17 telefona celular, 6 karta sim dhe 9 aksesorë të tjerë telefonash celularë;135 doza lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa; 27 mjete prerëse të improvizuara nga të burgosurit.
 

 
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re