Shefi i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç tha se nuk mund të presin ardhjen e zyrtarëve ndërkombëtarë në Serbi në fund të gushtit që të japin iniciativa të reja lidhur me çështjen e Kosovës. Daçiç përsëriti se SHBA-të shmangin ushtrimin e presionit mbi Serbinë, pasi sipas tij “ata janë të vetëdijshëm se problemi nuk është në Beograd, por në Prishtinë”.
“John Bolton, këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Presidentit, e ka ndarë këtë informacion me mua në një takim shumë të suksesshëm që kemi zhvilluar, gjë që paraqet ndryshim të madh në pikëpamjen e SHBA-ve “, tha shefi i diplomacisë serbe për një televizion lokal.
Ai nënvizoi se fuqitë e mëdha rrallë ndryshojnë orientimin e tyre strategjik, duke thënë se politika e ashtuquajtur “autopilot” shkaktoi dëme të mëdha për interesat e SHBA-së në rajon.
Daçiç kishte deklaruar se Franca dhe Presidenti i saj Emmanuel Macron shprehën gatishmërinë për të marrë pjesë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke shtuar se vizita e Macron në Serbi ishte e jashtëzakonshme.
Duke përmendur çështjen e Beogradit dhe Prishtinës, Daçiç tha se Serbisë është duke iu bërë presion për të qenë konstruktiv, për të ndalur lobimin për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe për të penguar hyrjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndërsa në të njëjtën kohë Prishtina po lavdërohet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Antiguan dhe Barbudan.
“Ne nuk mund ta frenojmë veten më. Ne vazhdojmë të mbështesim tërheqjen e njohjes së Kosovës”, tha Daçiç.
Ai njoftoi se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Serbia duhet të përgatitet për skenarë të ndryshëm në lidhje me këtë çështje të veçantë.