Ministri i punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç ka thënë se Kosova sërish ka kandiduar për të qenë anëtare e Interpolit, dhe se është e mundur të aplikojë edhe për anëtarësim në UNESCO, ku deklaroi se Serbia do të përgatitet për këtë luftë që Kosova të humbasë.

 

“Nuk e kuptoj nevojën e Kosovës për akte të tilla vetëvrasëse. Do të humbasë me një rezultat edhe më të keq”.

 

Përndryshe, tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, datojnë që nga viti 2010, por atë kohë, Komiteti Ekzekutiv nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare.

 

Ndërkaq më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Në vitin 2017, Kosova tërhoqi vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.

 

Në nëntor të vitit të kaluar Kosova nuk arriti të bëhet vend anëtar i Agjencisë Ndërkombëtare e Policisë, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.

 

“Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik”.

 

Qeveria e Kosovës disa ditë më pas, tha se si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Serbisë do të vendosë masën tarifore ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re