Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkon nga SPAK të thellohet në hetime për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.

 

Në një takim që pati me të rinjtë e Elbasanit, Basha tha se Dako nuk duhet të hetohet vetëm për shpërdorim detyre, por edhe për krime elektorale, duke shmangur kështu, sipas tij, daljen e parakohshme nga qelia.

 

LULZIM BASHA

 

ISH-KRYETAR I PD

 

“Dako është arrestuar me urdhër të SPAK për një pallat, por shpresoj të mos jetë vetëm kaq. Të mos jetë njësoj si me Tahirin që doli nga burgu sepse ishte dënuar vetëm për shpërdorim detyre. Rasti i Dakos nuk është i panjohur, është njeriu që u bë i famshëm për përgjimet e famshme sesi shiteshin dhe bliheshin votat. Shpresoj shumë të jetë fillimi i një hetimi i një personazhi famëkeq, që shiste e blinte vota, duke dëmtuar demokracinë dhe zgjedhjet. Nuk ka nevojë të shpikësh rrotën, mënyra mnqë e sigurt për të hetuar një person përfshihet në dy fjalë: Ndiq paranë. Shiko çfarë shpenzon, çfarë pronash ka. Ajo që u dhemb më shumë personazheve të botës së krimit, është sekuestrimi i pasurive të tyre.”

 

I rikthyer në politikën aktive pas zgjedhjeve të 14 majit, Basha ende nuk e bën të qartë nëse këto takime i ka në funksion të rikandidimit të tij në garën e 29 korrikut për të rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike.

 

LULZIM BASHA

 

ISH-KRYETAR I PD

 

“Kam një vizion të qartë dhe mezi pres ta ndaj me ju. Por sot do të kufizohem, duke qenë se do të duket si një fushatë brenda partisë, gjë që nuk ia lejoj dot vetes në këtë moment, për arsye që më kuptoni. Kam disa parime: çfarë nuk është e mirë për Shqipërinë, nuk është e mirë as për PD. Nuk mundet mes hileve, trukeve, bashkimeve mekanike të kthehemi në një shumicë morale për Shqipërinë. Ne duhet të prijmë me ide, me dashuri për këtë vend, jo me epsh për pushtet. Gjërat në këtë vend ka vetëm një shpresë, PD. Si do të jetë PD sot, do të jetë Shqipëria nesër. Dhe kjo na thërret të veprojmë një orë e më parë. Vonesat janë të rrezikshme, fatale.”

 

Edhe njëherë tjetër, Lulzim Basha përsëriti se politika sot ka nevojë për veting, për të rikthyer besimin e të rinjve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re