Policia e Shtetit ka mundur që të zbardhë vrasjen e ndodhur në 1 Shkurt në Fier, ku u vra Shkëlzen Kastrati. Për ngjarjen janë shpallur në kërkim 4 persona, dy prej tyre me banim në Fushë-Krujë, një në Kamëz dhe një në Tiranë, të cilët dyshohet se janë larguar jashtë vendit.

Gjatë veprimeve hetimore, strukturat e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy automjetet që janë përdorur nga autorët për të kryer vrasjen dhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Vijon puna për lokalizimin e tyre dhe po bashkëpunohet me homologët, pasi dyshohet se mund të jenë larguar drejt një vendi të BE-së. Në fotot e mëposhtme siguruar nga Faxweb.al shihen dy të rinjtë nga Fushë Kruja, Albert Zaja dhe Elmir Tufa.

Personat e shpallur në kërkim janë:

Albert Zaja

Elmir Tufa

Silvio Cara

Elson Xhecuka

Edhe pse ende nuk ka një pistë te saktë, mendohet që hasmëria dhe konfliktet e vjetra mund të kenë cuar në ekzekutimin e 42 vjecarit, vetëm pak metra larg biznesit të tij dhe në një rrugë që e frekuentonte pothuajse përditë.

Ekzekutimi i Shkëlzen Kastratit, dyshohet, së është vazhdimi i vrasjes së ndodhur në vitin 2016 në Fier, ku shënjestër ishte Klement Kastrati, vëllai i viktimës. Shënjestra bashkë me një tjetër person mbetën të plagosur, ndërsa u vra një shtetas nga Patosi i identifikuar si Granit Kasaj.

Por konfliktet janë më të hershme. Ato kanë nisur që rreth vitit 2000, ku më pas janë vrarë 3 të afërm të viktimës së kësaj të hëne, ndërkohë që për zbardhjen e kësaj ngjarje janë duke u marrë dhe hetues nga Tirana.

Klement Kastrati, vëllai i viktimës që u ekzekutua dje, ka qenë gjithashtu i arrestuar nga policia për gjobvënie dhe trafik droge në Belgjikë dhe në Hollandë, ndërsa i ka pasur përplasjet të vazhdueshme me një tjetër personazh të njohur të botës së krimit në Fier, Altin Binjakun.

Njoftimi i plotë i Policisë: 

Zbardhet dhe dokumentohet me prova vrasja e shtetasit Sh. K., ndodhur më datë 01 shkurt 2021, në Fier. Identifikohen dhe shpallen në kërkim 4 autorët e dyshuar të ngjarjes kriminale. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dy automjetet që kanë përdorur autorët për t’u larguar nga vendngjarja.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Fier, në koordinimin nga Departamenti i Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, si rezultat i provave të grumbulluara gjatë hetimeve, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve.

Mbi bazën e provave të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Fier, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur në mungesë masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, për shtetasit:

• A. Z., 37 vjeç dhe E. T., 29 vjeç, të dy banues Fushë Krujë;

• E. Xh., 27 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë;

• S. alias R. C., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, në zbatim të vendimit të Gjykatës, nga ana e Policisë është ushtruar kontroll në banesat e këtyre shtetaseve. Në përfundim të veprimeve është bërë shpallja e tyre në kërkim kombëtar dhe vijon puna edhe për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.

Gjatë veprimeve hetimore, strukturat e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy automjetet që janë përdorur nga autorët për të kryer vrasjen dhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Vijon puna për lokalizimin e tyre dhe po bashkëpunohet me homologët, pasi dyshohet se mund të jenë larguar drejt një vendi të BE-së.

Gjithashtu, nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore nga strukturat e Policisë, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje kriminale.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb