FaxNews ka mundur të sigurojë pamje nga lokali ku qiramarrësi ekzekutoi me breshëri kallashnikovi pronarin që i kishte dhënë një objekt me qera. Siç shihet dhe në video-n e vendit të ngjarjes, karriket e thyera dëshmojnë konfrontimin fizik midis autorit dhe viktimës.
Ngjarja e rëndë ndodhi në oborrin e një lokali në liqenin e fshatit Goraj, ndërkohë që bëhet me dije se personat kishin konflikte të vazhdueshme.
Viktimë e debatit ka mbetur shtetasi 41-vjeçari Ajet Guneli. Policia ka mundur të bëjë arrestimin e menjëhershëm të autorit të krimit, i cili është 44-vjeçari Vangjel Polovina.
Në pamjet e regjistruara në vendngjarje, teksa operatori i Faxnews po filmon dëgjohen në sfond se autori nuk u arrestua nga policia por u vetëdorëzua.
“E vrau me 60 plumba. Jo ore nuk e arrestoi policia ai, vajti vet u dorëzua vet”, thotë një prej të pranishmëve në skenën e krimit.
Ndërkohë policia njoftoi pak më parë se ishin uniformat blu që arrestuan në flagrancë autorin e krimit teksa ai po tentonte të largohej.
Një tentativë kjo e Policisë së Shtetit për të marrë merita dhe atëherë kur nuk e meriton.
Konkretisht, policia njoftoi pak më parë se , “shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe forcat e posaçme ‘Shqiponjat’, pas njoftimit të marrë se tek liqeni në afërsi të fshatit Goraj të Beratit kishte ndodhur një vrasje me armë zjarri, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje. Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, krehjes së zonës dhe reagimit të menjëhershëm duke rrethuar zonën në një perimetër të gjerë, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasin: V.P. (Vangjel Polovina), 44 vjeç, banues në Kuçovë”.
E vërteta është ndryshe nga ajo që njoftohet zyrtarisht, autori i krimit është vetëdorëzuar dhe policia kërkon ta shesë si një histori suksesi të sajën./
Burimi: faxweb



