Ky është momenti kur autori i grabitjes në “Rrugën e Kavajës” largohet me çantën me para. Në pamjet e para të kamerës së sigurisë shihet autori që vrapon për t’u larguar nga policia.

Më pas ai kapet nga kamerat me maskën gjysmë të ulur, gjë që i ka mundësuar policisë të bëjë dhe identifikimin e tij. Tashmë grupi hetimor ka në dorë identikitin e tij.

Grabitja ndodhi paraditen e sotme rreth orës 09:05, në rrugën e “Kavajës” në kryqëzim me rrugën “Mihal Duri”, ku 2 persona ende të paidentifikuar sipas policisë goditën me sende të forta dhe më pas i kanë marrë një shumë parash shtetasit Q. Z., 55 vjeç, i cili po transportonte me motor vlera monetare të një pike valute. Autorët kanë braktisur motomjetin me të cilin po qarkullonin dhe janë larguar me këmbë nëpër rrugica.