Pas sekuestrimit të mbetjeve në tragetin e linjës Brindisi-Vlorë, prokuroria ka kryer matje nëse mbetjet kanë patur përmbajtje radioaktive. Në një proces verbal të mbajtur pasditen e së premtes, hetuesit kanë kryer matjet me një pajisje të quajtur Mini-Rad dhe ka rezultuar se lënda e sekuestruar nuk është e rrezikshme pasi nuk ka përmbajtje radioaktive.

Procesverbali mban firmën e oficerëve të Policisë Gjyqësore, punonjësit të Doganës Vlorë, përfaqësuesit të tragetit dhe laborantit të Policisë Shkencore. Hetuesit janë në pritje edhe të analizave që po kryen Instituti i Fizikës Bërthamore ku janë dërguar mostra të veçanta nga mbetjet e gjetura në traget.

Dy ditë më parë, Policia e Vlorës vuri në pranga 6 persona me dyshimin se mbetjet e bllokuara në traget përmbajnë amiant, e cila është një lëndë mjaft e rrezikshme pasi shkakton sëmundje kancerogjene.

Të arrestuarit po hetohen për veprat penale kontrabandë me mallra të ndaluar ose të kufizuar, por gjatë marrjes në pyetje kanë mohuar akuzat. Edhe pronarët e tragetit ku u gjet lënda e dyshuar kanë mohuar të kenë transportuar lëndë të rrezikshme.

Sipas tyre lënda e gjetur është blerë për izolimin e tragetit, ndërsa vaji për motorin e tij. Paraditen e së shtunës një grup të rinjsh kanë protestuar përballë Portit të Vlorës kundër importit të mbetjeve të rrezikshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re