Ekipet e shpëtimit në Kinë kanë ndërmarrë një operacion për shpëtimin e pasagjerëve të një treni pasi niveli i ujit brenda tij ka arritur deri në bel.

Pasagjerët po udhëtonin në Zhengzhou, në provincën qendrore Henan të martën, kur u bllokuan pas ngritjes së nivelit ujit për shkak të përmbytjeve që kanë goditur kontinentin aziatik.

Provinca Henan është goditur rëndë nga shiu i madh ditët e fundit duke rezultuar në përmbytje të shumë qyteteve.

Të paktën një person ka vdekur dhe dy janë zhdukur, raportojnë mediat shtetërore.

Të martën, i gjithë sistemi i metrosë Zhengzhou u detyrua të mbyllet.

Videot dhe fotot e postuara në mediat sociale tregojnë njerëz që qëndrojnë në vendet e trenit në përpjekje për të qëndruar mbi ujë.

Shpëtuesit u panë duke tërhequr udhëtarët me litar. Nuk dihet ende se sa njerëz mbeten të bllokuar, por qindra raportohet të jenë shpëtuar deri më tani.

Një person i cili mbante emrin Xiaopei shkroi një postim në faqen e mediave sociale Weibo duke u lutur për ndihmë.

“Uji në karrocë ka arritur deri në gjoksin tim. Nuk mund të flas më”.

Departamenti i zjarrfikësve më vonë konfirmoi se Xiaopei ishte shpëtuar.

“Unë kam jetuar në Zhengzhou gjithë jetën time dhe kurrë nuk kam parë një stuhi aq të madhe shiu sa sot,” i tha Associated Press Wang Guirong, një menaxher restoranti 56-vjeçar.

Sasia e shiut gjatë tre ditëve të fundit në Zhengzhou raportohet të jetë e njëjtë me atë që zakonisht bie në harkun e një viti të tërë.

Reshjet e shiut parashikohen të vazhdojnë në rajon për të paktën 24 orët e ardhshme.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re