Zgjedhjet e mesmandatit, kanë prodhuar një fitore të gjerë për Partinë Demokratike, e cila ka arritur të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit, duke i dhënë një goditje të drejtpërdrejtë shumicës republikane të mbështetur nga presidenti Donald Trump.
Sipas projeksioneve të mediave amerikane, përfshirë CNN-in, demokratët kanë siguruar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa rezultatet e Senatit konfirmojnë një përmbysje edhe më të rëndësishme.
Në Senat, demokratët kanë përmbysur të paktën gjashtë vende të mbajtura më parë nga republikanët. Para zgjedhjeve, republikanët kishin 53 senatorë, ndërsa demokratët 45, të mbështetur nga dy senatorë të pavarur.
Për të siguruar shumicën nevojiteshin të paktën 51 vota, përfshirë mbështetjen e të pavarurve. Ndër rezultatet më të rëndësishme është fitorja në Teksas, ku demokrati James Talarico mundi republikanin Ken Paxton.
Demokratët rikthyen gjithashtu një vend në Kansas, ku Adam Hamilton mundi senatorin Roger Marshall, duke shënuar fitoren e parë demokrate për Senatin në këtë shtet që prej vitit 1932.
Në Karolinën e Jugut, Annie Andrews fitoi përballë republikanes Darline Graham, ndërsa në Karolinën e Veriut Roy Cooper mundi Michael Whatley.
Në Ohio, ish-senatori demokrat Sherrod Brown rimori vendin e tij, duke mposhtur Jon Husted. Një tjetër fitore e rëndësishme u shënua në Iowa, ku Josh Turek mundi kandidaten republikane Ashley Hinson.
Në Maine, senatorja republikane Susan Collins pranoi humbjen përballë demokratit Troy Jackson, duke i dhënë fund përpjekjes për një mandat të gjashtë.
Në Dhomën e Përfaqësuesve, ku të 435 vendet ishin në garë, demokratët kanë fituar rreth 24 mandate të mbajtura më parë nga republikanët, sipas bilancit të Associated Press. Para zgjedhjeve, republikanët kishin 218 vende, demokratët 212, ndërsa dy vende ishin vakante. Për shumicën nevojiten 218 mandate.
Në Iowa, ata fituan tri nga katër vendet në Dhomën e Përfaqësuesve, duke mposhtur tre kandidatë republikanë. Christina Bohannan fitoi ndaj Mariannette Miller-Meeks, Sarah Trone Garriott mundi Zach Nunn, ndërsa Lindsay James fitoi në një distrikt tjetër.
Në Alabama, demokrati Shomari Figures siguroi një mandat të dytë, duke mundur kandidatin republikan Rhett Marques. Në Teksas, demokrati Vicente Gonzalez fitoi gjithashtu rizgjedhjen, pavarësisht ndryshimeve në kufijtë elektoralë të distriktit.
Përveç Kongresit, demokratët shënuan fitore edhe në disa gara për guvernatorë. Keisha Lance Bottoms fitoi në Georgia, Amy Acton në Ohio, Rob Sand në Iowa dhe Gina Hinojosa në Teksas. Kjo e fundit do të bëhet guvernatorja e parë latine në historinë e këtij shteti.
Reagimet e demokratëve dhe Trump-it
Kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, përshëndeti rezultatin dhe deklaroi se amerikanët kishin votuar për ndryshim. “Dy fjalë për popullin amerikan: lehtësimi është rrugës!”, u shpreh ai, duke iu referuar fitores dhe marrjes së shumicës në Senat.
Hakeem Jeffries, lideri demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, deklaroi gjatë festimeve: “Amerika është rikthyer!”. Ai premtoi se demokratët do të punojnë për të realizuar ndryshimet e kërkuara nga votuesit. Nëse zgjidhet kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, Jeffries do të bëhet personi i parë me ngjyrë që mban këtë post në historinë amerikane.
Senatorja Kirsten Gillibrand, drejtuese e komitetit të fushatës demokrate për Senatin, u shpreh e befasuar nga përmasat e fitores. “Dallga blu është më e madhe nga sa mund ta imagjinoja…”, deklaroi ajo për Associated Press, duke veçuar fitoren në Kansas si një prej rezultateve më të rëndësishme të mbrëmjes.
Presidenti Donald Trump reagoi përmes një interviste telefonike për Fox News, ku përgëzoi demokratët për rezultatet. “Demokratët bënë një punë të mirë. Ata luftuan fort!”, deklaroi ai.
I pyetur nëse e konsideronte rezultatin një goditje ndaj presidencës së tij, Trump u përgjigj: “Nuk e shoh si një goditje ndaj meje. Kemi pasur dy vitet më të mira në historinë e presidencës”.
Presidenti tha gjithashtu se do t’i pranonte rezultatet, por paralajmëroi se do të përdorte veton kundër projektligjeve që nuk do të mbështeste. “Ata do të sjellin në tryezën time ligje të çmendura dhe unë do t’i vë veton kundër”, u shpreh ai.
Trump reagoi edhe ndaj humbjes së republikanëve në Teksas, ku guvernatori Greg Abbott humbi garën për një mandat të katërt përballë demokrates Gina Hinojosa. Në një postim në Truth Social, presidenti e quajti Abbott “republikan vetëm në emër”, duke pretenduar se ai kishte humbur për shkak të largimit nga linja e tij politike. \\
