Të kesh prediabet do të thotë që nivelet e glukozës (sheqerit) në gjak janë më të larta se normalja – por jo aq të larta sa për t’u diagnostikuar si diabet. Prediabeti mund të çojë në sëmundje të zemrës, goditje në tru dhe diabetin e tipit 2, forma më e zakonshme e diabetit. Prediabeti shpesh mund të rikthehet përsëri nëse nuk e mbani nën kontroll.

Çfarë është diabeti?

Me diabetin e tipit 2, trupi juaj nuk mund të përdorë siç duhet insulinën (një hormon që ndihmon glukozën të futet në qelizat e trupit). Ju mund të keni diabet të tipit 2 në çdo moshë, por mosha e tretë është më e rrezikuar, nëse jeni mbipeshë, apo keni një histori familjare të diabetit, nuk jeni fizikisht aktive ose jeni një grua me diabet gestacional.

Diabeti gestacional është një lloj diabeti që disa gra e marrin kur janë shtatzënë. Edhe nëse nivelet e sheqerit në gjak të një gruaje ulen pas lindjes së foshnjës, ajo është në rrezik më të lartë për t’u prekur nga diabeti i tipit 2 me kalimin e viteve.

Me diabet të tipit 1, trupi juaj nuk mund të prodhojë insulinë, kështu që ju duhet të merrni insulinë çdo ditë. Diabeti i tipit 1 është më pak i zakonshëm se i tipit 2; afërsisht 5-10% e njerëzve që kanë diabet kanë tip 1.

Kush është në rrezik për prediabetin dhe diabetin e tipit 2?

Nëse i keni këta faktorë rreziku, mund të jeni në rrezik më të lartë se të tjerët për prediabetin dhe diabetin e tipit 2.

  • Ju jeni mbipeshë.
  • Jeni mbi 45 vjeç
  • Prindi ose vëllai juaj ka diabet të tipit 2
  • Jeni aktiv fizikisht më pak se 3 herë në javë
  • Jeni diagnostikuar me diabet gjatë shtatzënisë (diabet gestacional).

Diabeti ka pasoja të rënda

Miliona njerëz kanë prediabet,  sheqeri i tyre në gjak është më i lartë se normalja, por jo aq i lartë sa të konsiderohet diabeti i tipit 2. Shumë njerëz me prediabet mund të zhvillojnë diabetin e tipit 2 brenda 5 viteve, gjë që i vë ata në rrezik të problemeve serioze shëndetësore, duke përfshirë:

  • Atak ne zemer
  • Goditja në tru
  • Verbëri
  • Dështimi i veshkave
  • Humbje të gjymtyrëve

Nëse keni prediabet, ndryshoni stilin tuaj  të jetesës  sepse është një nga mënyrat më efektive për të parandaluar marrjen e diabetit të tipit 2. Të jeni aktiv, të eleminoni ushqimet e pashëndetshme nga dieta juaj dhe reduktimi i stresit nga jeta e përditshme janë disa nga mënyrat për të parandaluar Diabetin./ CDC.gov

Përktheu për Gazetën Shëndeti, Griselda Ozuni.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re