Deputeti dhe drejtuesi i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës, Darmian Gjiknuri, i ka bërë thirrje presidentit Ilir Meta të jetë pjesëmarrës në inaugurimin për nisjen e punimeve në rrugën e Selenicës dhe atë që të çon nga Radhima në Orikum.

“Ju pëlqen apo jo e vërteta kjo është, Rama ka bërë realitet ndryshimin në Vlorë. A i kemi bëre të gjitha? Po ne prandaj duam të nisim punët që kemi nisur.

Ne kemi paratë për rrugën Radhimë-Orikum, por edhe për rrugën e Selenicës, janë gjetur lekët. I bëj thirrje kryebashkiakut të Selenicës të ftojë presidentin e Republikës, të mos vijnë fshehurazi në Vlorë, por bashkë të inaugurojmë punimet.

Nëse bëhet vepra, atëherë hajde sepse kështu e ka burrërinë Vlonjati, nëse vjen fshehurazi për politikë turp t’i vijë”, tha Gjiknuri.

Sakaq, më herët në një postim në rrjetet sociale, Gjiknuri dha lajmin se brenda disa javësh pritet të nisin punimet për rikonstruksionin e segmentit Peshkëpi – Selenicë, teksa iu përgjigj edhe kritikëve me këtë mesazh:

“Fondi Shqiptar i Zhvillimit miratoi financimin dhe shpalli garën për rikonstruksionin e segmentit Peshkëpi – Selenicë. Vlera totale e investimit është rreth 9 milion dollarë.

Me shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, brenda pak javësh nis puna në terren. Çdo qytetar i kësaj zone e ka të qartë se vetëm ne që bëmë realitet ëndrrën e Rrugës së Lumit të Vlorës do ti japim edhe Selenicës rrugën që meriton.

Ata që tentuan ta bllokojnë investimin dhe nxituan të akuzojnë qeverinë se ka vendosur ta lërë mënjanë Selenicën janë të ftuar të jenë prezent në fillimin e punimeve, pavarësisht bindjeve apo interesave politike”, njoftonte Gjiknuri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re