Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri ka dhënë një intervistë për top Neës, ku ka folur për caktimin e tij si drejtuesi i Qarkut të Elbasanit.   

“Vlora nuk është një Qark i lehtë. Të gjitha Qarqet nuk janë të lehta, sepse varet nga numri i mandateve që synon. Në Vlorë kemi arritur në dy mandatet e fundit rezultatin tetë me katër, që është një rezultat i thellë. Vlora vërtet është e majtë, por varet a je në thellësinë e duhur për të krijuar më shumë mandate në favor të Partisë Socialiste. Pra, nga kjo pikëpamje çdo garë është e vështirë. Në Vlorë, për shembull, kemi pasur 6 mandate dhe kaluam në tetë. Kjo nënkupton që është bërë një hap përpara. Kjo edhe për shkak të investimeve, mirëorganizmit politik.

Nga ana tjetër, edhe Elbasani është një Qark jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ka më shumë mandate se Vlora. Është Qarku i tretë më i madh, për sa i përket mandateve të deputetëve.

Është e vërtetë që është një Qark disi më i balancuar. Ka pasur një rezultat shumë të mirë në zgjedhjet e fundit. Është një sfidë për të mbajtur këtë rezultat. Për mua përbën edhe një sfidë në vetvete për të mbajtur atë rezultat, që kemi arritur. Do bëjmë më të mirën e mundëshme”, tha Gjiknuri.

Mos harroni që prokurori i Përgjithshëm ka thënë që Elbasani është Qarku më problematik. Të gjithë kundërshtarët tuaj politikë e lidhin dërgimin tuaj në Elbasan me këtë çështje. Pra, për të bërë tërmet edhe atje.

Tërmeti është një alegori që unë e kam përdorur për suksesin politik. Kur them tërmet, nënkuptoj një sukses të jashtëzakonshëm elektoral.

Unë në Qarkun e Elbasanit kam qenë deputet për herë të parë, jam zgjedhur aty në vitin 2009. Unë kam edhe një lloj lidhje, nënën e kam elbasanllije.

Është një Qark shumë i rëndësishëm për Partinë Socialiste, ka shumë potencial ekonomik, ka industri. Nga kjo pikëpamje me punën e mirë të bërë deri tani jam i bindur që rezultati mund të arrihet.

Për sa i përket çështjeve kriminale, dua të them se çështje kriminale ka kudo. Edhe Vlora ka kriminalitet, edhe Durrësi, edhe qytete të tjera.

Politika nuk ka pse të bazohet tek këto lloj influencash. Nganjëherë i vishen politikës këto influenca më shumë seç duhet. Unë kam një eksperiencë të gjatë elektorale, ndaj nuk fiton vota nga këto lloj influencash.

Paraardhësi juaj Taulant Balla, çfarë këshillash ju ka dhënë?

Unë kam marrëdhënie shumë korrekte me Taulant Ballën. Jemi kolegë të vjetër.

Nga lëvizjet në PS është interpretuar në publik dhe media se ai ishte më i godituri?

Nuk duhet të interpretohet kështu. Lajmi i mirë asnjëherë nuk përbën lajm.

Njerëzit në PS krijojnë pritshmëri të caktuara. Taulanti ka një detyrë të rëndësishme, është lideri i Grupit Parlamentar. Mund të ketë pasur pritshmëri të tjera, është krejt legjitime. Taulanti ka aq pjekuri politike sa të mos e hedhë dëm gjithë investimin e tij politik në Partinë Socialiste, vetëm për një moment të caktuar.

Marrëdhëniet me të janë shumë korrekte.

Bashkë kemi qenë në Elbasan ku kemi takuar strukturat.

Këshillat pastaj janë personale dhe do mbeten mes nesh.

Meqë përmende që mos ta hedhë poshtë karrierën për një kapriço ose për një interes personal: më thoni pak, Erion Braçe, fjalimet e tij si ju duken?

Ka qenë kritik me ligjet, në Komisionin e Ekonomisë. Në momentin që u bë zëvendëskryeministër heshti. Kur u tërhoq menjëherë filloi kritikat për oligarkët dhe në atë sallë ai e drejtoi gishtin nga ju?

Ju bëtë një përmbledhje të rrugëtimit jo shumë të hershëm politik të Erion Braçes. Erioni është një natyrë shumë ekspresive lidhur me angazhimet që ka marrë. Ka njerëz që kanë tone të ndryshme në të shprehurit e gjërave. Erion Braçe kontribuoi në pozicionin e tij si zëvendëskryeministër. Mbase ka pasur pritshmëri më të larta. Unë nuk e di, nuk mund ta komentoj.

Erion Braçe është brenda natyrës së tij, gjithmonë ka pasur sens kritik. Me thënë të drejtën edhe unë kur kam qenë ministër, kam pasur debate me të. Përgjithësisht ka pasur një natyrë kritike ndaj qeverisjes. Ajo është natyra e tij. Njerëzit krijojnë fizionominë e tyre në politikë pavarësisht pozicionit. Jam i bindur që Braçe do të bëjë atë që ka bërë gjithmonë, do të jetë një socialist shumë korrekt dhe mbështetës për mbarëvajtjen e gjërave në Partinë Socialiste. Ky është mendimi im.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re