Autoritetet daneze konfirmuan se më shumë se gjysma e gazit në tubacionet e dëmtuara ‘Rrjedha Veriore 1’ dhe ‘Rrjedha Veriore 2’ ka rrjedhur.

Bordi i Energjisë i Danimarkës pret që rrjedha e gazit nga tubacionet të përfundojë të dielën.

“Gjysma e gazit është jashtë dhe ne presim që tubat të zbrazen deri të dielën”, tha në një konferencë për media Kritoffer Bottzauw, drejtori i Agjencisë Daneze të Energjisë.

Policia e Kopenhagës dhe Bordi i Energjisë i Danimarkës dhe Forcat e Armatosura të Suedisë morën pjesë në konferencën për media të mbajtur mbi sabotimin e dyshuar të tubacioneve të ‘Rrjedhës Veriore’.

Siç tha Bottzauw, si duket “sabotimi” është arsyeja pas rrjedhjeve.

“Kjo është arsyeja pse ne kemi rritur gatishmërinë në sektorin e energjisë në nivelin portokalli. Ky është niveli i dytë më i lartë”, tha ai.

Udhëheqësi i Shërbimit Gjeologjik të Danimarkës dhe Grenlandës, Flemming Larsen, nga ana e tij, theksoi se në vendin e ngjarjes ndodhën disa shpërthime.

“Vlerësimi ynë është se ky është një akt i vetëdijshëm”, tha Larsen.

Sipas autoriteteve daneze, rrjedhja e gazit nuk paraqet rrezik për shëndetin e banorëve, por shtoi se “rreziqet e vazhdueshme po vlerësohen në vazhdimësi”.

Gjithashtu edhe shërbimi suedez i sigurisë ka nisur një hetim për shpërthimet dhe rrjedhjet e pashpjegueshme në tubacione, duke i etiketuar ato “sabotim i rëndë”.

“Policia e sigurisë po merr përsipër hetimin, sepse mund të jetë një krim i rëndë që të paktën mund të jetë pjesërisht i drejtuar ndaj interesave suedeze”, thanë autoritetet suedeze në një njoftim për mediat.

“Gjithashtu nuk mund të përjashtohet se një fuqi e huaj mund të jetë pas saj”, theksuan autoritetet suedeze.

Operatorët e ‘Rrjedhës Veriore 2’ të hënën pasdite u informuan për një humbje të presionit në tubacionin nënujor.

Më pas, autoritetet daneze paralajmëruan anijet që të mos lundrojnë brenda 5 miljeve detare (9.25 kilometra) nga ishulli Bornholm.

Të martën, operatorët e ‘Rrjedhës Veriore 1’ u informuan se gazsjellësi kishte pësuar dëmtime “të paprecedentë” dhe më pas ranë në përfundim se dëmi ishte shkaktuar për shkak të shpërthimeve nënujore.

Pikërisht kur përfunduan punimet dhe gazsjellësi ‘Rrjedha Veriore 2’ në pronësi ruse ishte gati për të filluar transportimin e gazit nga Rusia në Gjermani përmes Detit Baltik, autoritetet gjermane e ndaluan projektin pasi Rusia pushtoi Ukrainën në muajin shkurt.

Pas vendimit të Gjermanisë, Rusia ndaloi furnizimin me gaz nëpërmjet gazsjellësit ‘Rrjedha Veriore 1’, i cili ka një gjatësi prej rreth 1.200 kilometrash dhe kalon nën Detin Baltik nga bregu rus pranë Shën Petersburgut deri në Gjermani.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re