Skip to content

DASH: Është koha që Kosova dhe Serbia të jenë fleksibile

Shtetet e Bashkuara deklaron se zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët dhe të jetë në duart e tyre.

 

Departamenti amerikan i Shtetit thekson se SHBA-ja është e gatshme t’i dëgjojë dhe t’i ndihmojë palët në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.

 

“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është thelbësor për qëndrueshmërinë rajonale. Normalizimi po ashtu do t’iu hapte rrugë të qartë të dyja vendeve drejt anëtarësimit eventual në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës. Tani është koha që palët të jenë kreative dhe fleksibile”, thuhet në deklaratën e DASH-it për REL.

Ajo vjen si përgjigje pas sugjerimeve të fundit se zgjidhja e mundshme e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi mund të arrihet me shkëmbim territoresh në vija etnike.

 

Presidentët e të dyja vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, e kanë hedhur idenë i pari për korrigjim kufijsh, ndërsa tjetri për ndarje territoriale./REL