Pas vendimit për ndalimin e lëvizjes në SHBA, Departamenti Amerikan i Shtetit është shprehur sërish për Tom Doshin.

Këtë e ka bërë pas një kërkese të portalit Respublika.

Në përgjigjen e tij, DASH thekson se “Departamenti ka informacione të besueshme se z. Doshi është përfshirë në korrupsion të thellë(significant corruption) gjatë mandatit të tij si anëtar i Parlamentit.

Në përgjithësi korrupsioni shkakton kosto thelbësore mbi ekonominë, shoqërinë dhe sigurinë; mund të krijojë lehtësi për krimin e organizuar, të dobësojë besimin ndaj sundimit të ligjit dhe qeverisjes.

Kjo ndikon drejtpërdrejt interesat e sigurisë kombëtare të ShBA, ato ekonomike dhe të politikës së jashtme dhe ne besojmë se dëmton edhe interesat e shteteve partnere.

Në rrethanat e këtij rasti të veçantë ne besojmë se është e rëndësishme që qeveria dhe populli shqiptar të dinë sesa seriozisht e shohim ne korrupsionin publik dhe përfshirjen e z. Doshi në akte korruptive”.

Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se do të ketë edhe vendime të tjera për zyrtarë të lartë shqiptarë.

“Ne po rishikojmë aktivisht rastet dhe po e aplikojmë këtë autoritet me të gjitha vendet. Në varësi të rrethanave të veçanta disa përcaktime bëhen publike ndërsa të tjera janë private”.

Nëse na lejohet ta interpretojmë këtë pasazh rezulton se mund të ketë vendime ndalimi për zyrtarë të tjerë shqiptarë që mund të mos bëhen publike për arsye që i vlerëson Departamenti”, theksohet në qëndrimin zyrtar të DASH. 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re