Departamenti amerikan i shtetit, ka reaguar në lidhje me takimin e presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut të tij të Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik. DASH deklaroi se “asnjë qeveri, në asnjë nivel, në këtë moment nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë, ndërkohë që ai vend po kryen agresion kundër Ukrainës”.

 

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha për Zërin e Amerikës se vendimi i Dodik për t’u takuar me Putinin, “në kohën kur Rusia shkel haptazi themelet dhe ligjet e rendit ndërkombëtar, si dhe vendimi i mëparshëm për të dekoruar Putinin, janë lëvizje që nuk u shërbejnë interesave të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës.

 

“Rruga që të çon drejt një të ardhmeje demokratike, të begatë dhe të sigurt, të cilën e dëshirojnë të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, kalon përmes Brukselit, jo përmes Moskës. Prandaj, ne e konsiderojmë rrugën e Dodikut kundërproduktive dhe mbi të gjitha të dëmshme”.

 

Ndërsa agresioni rus kundër Ukrainës po vazhdon, Dodik gjatë takimit me Putinin theksoi se Republika Sërpska u është ekspozuar presioneve të shumta të Perëndimit, për shkak të mbështetjes së saj për Rusinë. Ai po ashtu i quajti “armiqësore” vendet që vendosin sanksione ndaj Kremlinit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re