Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi ka mbajtur një fjalim me tone realiste në Kuvend, ku u shpreh kritik se pse programi i qeverisë duhet të votohej dhe diskutohej gjatë orëve të natës, ku interesi i qytetarëve është i ulët. Teksa komentoi programin, Shehi tha se shumica e tyre janë premtime boshe dhe të parealizueshme.

“Të nderuar kolegë, njëherë mirëmëngjes, se kjo është pak e çuditshme, që rrihet gjithë natën ditën që do aprovohet programi. Mund të thuhej ditën që ta dëgjonin dhe qytetarët, kjo tregon që është një ditë thjesht formale për këta zotërinjtë që kanë fituar zgjedhjet, u ka bërë një njollë këtyre kolegëve, kaq dëshirë për punë kanë këta që duan ta fillojnë në orën 8 të premten. Këtu u diskutua rreth një programi që po të jetë kjo, që edhe unë , jo pas 4 viteve, por pas 2 viteve do të votoj PS.

Por edhe po u bë çereku i këtyre ne duhet të jemi të lumtur, ne do të bëhemi me porte, me hidrocentrale, me rroga të larta. Me gropën ekonomike që është sot, gropa që gjetën këta do duken si vrimë asfalti. Borxhi u mor me 62-63%, sot jemi gati 80%, dmth u premtua rritje ekonomike 4.5 % dhe jemi te dy %. Do jemi këtu dhe do ta shikojmë që shumica e këtyre shifrave do të thërmohen pasi bnuk kanë asnjë bazë reale”, u shpreh Shehi.

Deputeti kritikoi më tej mungesën e ministrisë së punës, që sipas tij për një vend si Shqipëria është e domosdoshme. Për Shehin është e çuditshme që në vendin tonë të ketë ministri për biznesin dhe jo për punëtorët. Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij ishte dhe ai për pyjet, që sipas Shehit do të duhet të ishin kthyer si kompetencë te Ministria e Bujqësisë.

“Dëgjuam se do të rriten pagat për mjekët dhe mësuesit, ide shumë e mirë, se do të shërbenin për të frenuar yryshtin e largimeve nga vendi, po a është kjo që të gjithë të stimulohen në mënyrë të barabartë. Këtu nuk ka më as ministri pune, sepse nuk e konsiderojnë si të parëndësishme mes 17 vetëve që janë këtu. Ne e kemi zhdukur ministrinë e punës, se na është dukur e tepërt një institucion si ministria e punës, ne kemi ministri biznesi, çudi e madhe, skam dëgjuar ndonjëherë në ndonjë vend të botës, edhe pse bëjnë biznes nga mëngjesi në darkë.

Ky ka saju për miqtë e vetë biznesmenë një zyrë ankimimi, lubrifikimi që të arrijnë te ky, po punëtorët ku të shkojnë, ku të ankohen. U dogjën pyjet e Shqipërisë, dhe politika agrare për pyjet është shpërndarë sa te turizmi, mendoja se do kishin parë seriozitetin e duhur që ti kishin kthyer pyjet te Ministria e Bujqëisë, mungon mentaliteti shtetformues”, tha më tej deputeti.

Në fund të fjalës së tij Shehi u ndal dhe te Ballkani i Hapur, ku i kërkoi Ramës që të heqë dorë nga ideja, sa kohë që Kosova është kundër nismës.

“Sigurisht që në 10 minuta në 6 të mëngjesit, nuk është se del ndonjë gjë e bukur, por dua të ndalem te disa gjëra që tha zoti kryeministër, kemi disa javë që dëgjojmë open balkans, close balkans, kanë një peng shumë të madh, që një lloj gjesti i tillë politik, pa rrugë përpara nuk është bërë ndonjëherë në Shqipëri. Për të promovuar imazhin tënd pa ide, si një djalë kosmopolit, që katundarët janë bashkëkombësit tonë, nuk ka ndodhur ndonjëherë në Shqipërinë e këtyre 30 viteve. Kemi bërë lloj lloj gafash, por që ne të bëjmë një nismë kundër gjysmës së kombit tonë nuk ka ndodhur ndonjëherë. Nëse miqve tanë të Kosovës nuk u leverdiste kjo punë, ne nuk e bëjmë. Ata mund ta kenë gabim, mund të jenë të avashtë, të trashë, por janë tonët ama. Ditën që kjo sallë e harron këtë gjë është gabim i madh, të reflektojmë për këtë punë dhe janë plagë që mund të mbyllen”, përfundoi fjalën e tij Shehi.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re