Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi ka komentuar deklaratën e kryetares së LSI Monika Kryemadhi se Ilir Meta do të rikthehet në krye të partisë. Në Radarin Informativ në ABC me gazetaren Juli Xhokaxhi, Shehi deklaroi se nuk mund ta ndërtojë profilin e të ardhmes opozitare mbi Metën, ndërsa shtoi se ai duhet të qëndrojë në detyrë deri në përfundim të mandatit.

“Unë do të thoja Meta ka qenë gjithmonë një lloj zig zage nga njëra anë në anën tjetër. Por nuk mund ta ndërtoj profilin e të ardhmes opozitare mbi Metën. Unë them presidenti duhet të rrijë në detyrë deri në qershor kur e ka detyrën. Unë dua të mbroj funksionin e presidentit. Meta është bërë president me votat e socialistëve të cilët thonë tani nuk po i zbaton urdhrat tona”, deklaroi Shehi.

Ai komentoi marrëveshjen e vitit 2008 për zgjedhjen e presidentit duke theksuar se ajo e bëri atë post partiak pasi në gjithë këto vite në atë detyrë janë vendosur individë që më pas janë rikthyer për të përfaqësuar një parti politike.

Marrëveshja e vitit 2008 e zvogëloi institucionin e presidentit. E bëri partiak. Pushtetin e morën partitë dhe parlamenti. Ndodhi kjo që po ndodh sot. Tani po i kthehemi rolit të presidentit. Presidenti në Shqipëri duke u bërë partiakë, bëhesh përfaqësues i një fraksioni të popullit.

Të gjithë kanë qenë brenda kësaj skeme. Berisha i pari. Moisiu ka qenë i vetmi që ka shpëtuar nga kjo. Edhe ky është sot se ka partinë e vet. Ky është më i sinqertë nga të tjerët se kthehet te partia e vet. Por ky nuk është model që duhet ndjekur. Presidenti nuk duhet të luhet nga ai institucion”, u shpreh Shehi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re