PD prej muajsh po kalon ditë të vështira. Prej shtatorit, kur Lulzim Basha përjashtoi zotin Berisha nga grupi i PD  ka filluar një “luftë” e brendshme në parti mes tyre. E ndarë në dy pjesë, PD do të prezantojë dy kandidatë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit të cilat do të mbahen në 6 bashkitë e vendit.

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi në një intervistë për Ora News shprehet se PD duhet të gjejë forcën dhe kurajën për të diskutuar në mënyrë që në 6 mars të ketë vetëm një kandidat nën siglën e PD-së.

Shehi i cilëson zgjedhjet e 6 marsit të rëndësishme dhe një lloj testi.

Shehi: Janë 6 bashki dhe 3 janë të mëdha se unë i lidh me numrin e votuesve. Pastaj është Shkodra që ka qenë gjithmonë e opozitës. Unë po i ofroj mendimin tim që është i thjeshtë dhe racional, të vënë një kandidat dhe ta kapërcejnë vetveten nuk ka rëndësi nëse është i Berishës apo i Bashës. Nëse me gjithë mend duam të mundim Edi Ramën, por nëse duam të mundim njëri-tjetrin dhe unë kam frikë se është kjo e dyta atëherë le të vënë 2 kandidatë, ky është teatër dhe tallje me qytetarët.

Zoti Shehi tha se formula është shumë e thjeshtë, të ngrihet një Komision dhe të përzgjidhte një kandidat për secilën bashki.

Shehi: Ajo që na lidh është kundërshtia që kemi me Edi Ramën, me regjimin e tij, me qeverisjen e Ramës. Kjo është ajo që na lidh.  Nëse nuk bëhet kjo do kemi një humbje tjetër. Ato dy gjysmat e PD-së do të bëhen dhe më të vogla.

A ke diskutuar me Lulzim Bashën apo Sali Berishën?

Shehi: Me asnjë. As më kanë thirrur, as kam dëshirë të shkoj. Kjo është ideja ime, s’ka nevojë për negociata poshtë tavolinës. Për ide ët tjera unë nuk jam i interesuar, të bëhem palë e një grupi  për t’i rënë grupit tjetër.

Sipas tij kjo luftë e brendshme nuk i shërben opozitës dhe nuk ka lidhje me demokracinë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re