Eksperti i Shëndetit Publik Erion Dasho, foli në Abc-ja e mëngjesit për situatën e koronavirusit, sistemin shëndetësor dhe masat e marra për parandalimin e përhapjen e pandemisë.

Dasho theksoi se duhet të ishin dëgjuar më shumë këshillat e ekspertëve dhe se sipas tij situata e pandemisë është serioze.

Për ekspertin e Shëndetit Publik disa nga masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit nuk janë të bazuara tek evidencat shkencore.

“Detyra e një lideri apo një Komiteti nuk është t’i zbukurojë, por t’i evidentojë momentet e vështira. Në Shqipëri dëgjojmë vetëm kryeministrin, ministren apo anëtar të caktuar, të cilët flasin vetëm për suksese, por situata në terren është krejt ndryshe.

Hapen spitalet Covid dhe ezaurohen brenda pak javëve. Jemi në një situatë që po shkon drejt përkeqësimit, por shohim deklarata që flasin për ngjyrë rozë dhe kjo për mua është e papranueshme”, tha Dasho.

Gjatë bisedës me gazetarin Enkel Demi, Dasho tha se kur përpiqemi të ngjallim besim, bazuar mbi një gënjeshtër, kjo do të jetë afatshkurtër.

“Shembulli i Kinës tregoi se virusi mund të kontrollohej vetëm me masa të mira. Ndërsa Gjermania po arrin ta menaxhojë në parametra optimale pandeminë.

Kemi kërkuar që prej dy muajsh që të futen teste antigene. Këshillat nuk janë marrë parasysh asnjëherë. Kryeministri, ministrja si edhe Komiteti i Ekspertëve, nuk i kanë dëgjuar këshillat dhe kanë kopjuar nga vendet që nuk kanë të njëjtën situatë me ne. Kjo është shumë e gabuar.

Me popullsinë që ka Shqipëria dhe me lëvizshmërinë e ulët kontrolli i epidemisë duhet të ishte një lojë. Masat tona nuk i kemi të bazuara tek evidencat shkencore. Efekti i maskës në publik është vetëm në momente të caktuara. Ne i ndalojmë qytetarët të dalin pas orës 22:00 dhe lejojmë të organizohen evente në qendra tregtare.

Duhen masat inteligjente, ndërsa në Shqipëri marrin masa që nuk kanë asnjë efekt. Nëse e gjykon që duhen masa atëherë mbyllen restorantet në zonat e populluara dhe kompensohen pronarët, këtë bën një shtet i përgjegjshëm.

Covid-19 e kam shprehur se do të ishte një test për shëndetësinë në Shqipëri. Spitalet ishin të palyer, ndërsa sot janë të lyer, kaq është bërë, nuk ofrohet siguri apo qasje ndaj shërbimit.

Nga ana e shërbimit, duhet futur menjëherë në përdorim pyetësori depistues për vlerësimin e rrezikut të vetëvrasjes dhe të plotësohet ai për çdo pacient të shtruar në spitalet COVID. Pacientët që rezultojnë të kenë një shkallë të lartë të rrezikut duhen trajtuar me kujdesin maksimal, sipas protokolleve të sigurisë.

Po ashtu më e rëndësishmja, është lejimi i komunikimit të të afërmve me pacientët, por në kushte të forta sigurie.

Të lejohen vizitat e familjarëve sikundër kemi dëgjuar e parë nga miqtë që kurohen në spitalet e Turqisë. Sot nuk jemi në shkurt apo mars dhe nuk ka asnjë arsye që pacientëve të shtruar me COVID t’u mohohen vizitat nga familjarët.

Patjetër, me masa sigurie e pajisje mbrojtëse, por duhen lejuar”, tha më tej Dasho.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re