“Unë kështu e mbaj mend jetën time… duke vuajtur”

Këto ishin fjalët që na tha Adisa e vogël, në atë kohë veçse 11 vjeçe. Sëmundja e skoliozës po ia rrezikonte jetën shqiptares së Shkupit, ndërsa dhimbjet e saj ishin bërë të padurueshme.

Shqiptarët u bënë bashkë për ta ndihmuar Adisën e vogël e falë bamirësisë u bë e mundur që 11 vjeçarja të hyjë në sallën e operimit për t’i shpëtuar përgjithnjë skoliozës.

Kanë kaluar afro 2 vite e tashmë Adisa ka sërish nevojë për ndihmën tonë. Fondacioni Firdeus ka vendosur t’i dalë në krahë familjes shqiptare nga Shkupi, duke i mbuluar kostot e ndërhyrjes për rregullimin e këmbëve. Edhe pse skolioza është tashmë një ëndërr e keqe për prindërit e Adisën vetë, vogëlushja ka ende problematika me këmbët e ecjen.

Sot Adisa është 13 vjeçe dhe na lumturon me këto fjalë.

“Kurrizin e kam shumë mirë, dhimbje nuk kam më… as probleme me frymëmarrjen nuk kam më”-shpjegon ajo.

“Nuk ka mirësi më të madhe ajo që kanë bërë shqiptarët për mua. Për mua vajza ka lindur për së dyti, edhe tani ende më duket si ëndërr, sesi ka qenë e sesi është bërë vajza.”-tregoi nëna e Adisës, Arzia.

Tashmë është radha e Fondacionit Firdeus për të lumturuar për së dyti këtë familje që vuajtjet i ka patur të shumta.

“Folëm me doktorin e vajza ka nevojë për një ndërhyrje tek këmbët tashmë”-shpjegoi babai i Adisës, Avniu.

Së shpejti Adisa do t’i nënshtrohet ndërhyrjes dhe ëndrra e saj më e madhe, do të mund të bëhet realitet.

“Do t’i këtë ndërhyrje por inshallah do Zoti vajza çohet në këmbë… nuk ka më gëzim më të madh për mua e time shoqe si prind, që vajza të çohet. Shumë keq më vjen kur vajza shkon në shkollë e sheh fëmijët e tjerë që luajnë, më pyet shpesh, babi kur do të çohem në këmbë. Kur dëgjuam fjalët e doktorit që ajo mundet të çohet në këmbë, u gëzova.”-rrëfeu Avniu për “Shqiptarët për Shqiptarët”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re