Shumë prej nesh ëndërrojnë të krijojnë një familje një ditë, me marrjen në krahë të një fëmije, që është një nga dhuratat më të mëdha të jetës. Dhe ndërsa sigurisht që nuk mund të përgatiteni për dashurinë e pafund që do të ndjeni, mund ta bëni këtë për faktorët më praktikë që lidhen me të pasurit fëmijë.

Megjithëse blerja e veshjeve për fëmijë të vegjël është argëtuese, ka disa artikuj me kosto të larta që do t’ju duhet t’i keni në shtëpi përpara se të mbërrijë fëmija, si dhe kostot e vazhdueshme sa i përket kujdesit.

Ndonëse marrja në konsideratë e kostos së lindjes së një fëmije mund të duket paksa e ftohtë ose përllogaritëse, kjo nuk e bën më pak të rëndësishme të merrni parasysh ndikimin financiar që do të ketë në buxhetin familjar. Nga ta fillojmë? Ne kemi zbërthyer kostot kryesore të rritjes së një fëmije, kështu që ju mund të planifikoni financat tuaja në përputhje me rrethanat.

Çmimet për produktet dhe mallrat për rritjen e të vegjëlve kanë shënuar rritje në katër vitet e fundit. Ndërsa disa vite më parë pelenat, qumështi, produkte të tjera kozmetike, ushqimet e para kushtonin më pak, sot zgjedhjet janë të larmishme, por çmimet, më të shtrenjta.

Gjithashtu, harta e familjeve të prekura nga kriza ekonomike është zgjeruar edhe më shumë këtë pesëvjeçar. Produktet që blejmë për bebet janë thuajse të gjitha produkte importi. Por edhe për fëmijët e parashkollorëve apo ata që ndjekin arsimin 9-vjeçar, produktet bazë për ta: veshjet, ushqimet, këpucët janë produkte të importuara dhe prodhime vendas.

Inflacioni i muajit shkurt arriti nivelin 3.9%, duke shënuar një rekord të ri për më shumë se një dekadë. Rritja e inflacionit është gjithnjë e më e përqendruar te produktet ushqimore dhe kjo e rëndon barrën e një familje me disa anëtarë.

Çmimet  në vend kanë nisur të kenë rritje të fortë me fillimin e konfliktit Rusi-Ukrainë dhe kjo i shton çdo muaj kostot e shportës familjare.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2021, lindjet në shkallë kombëtare ranë me 2.8% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në nivelin më të ulët të pas tranzicionit. Ndërsa në 2020-n, rënia në total nga 2019 ishte 1.7%, ose rreth 500 lindje më pak. Në vitin 2021 kishte 27.3 mijë lindje, me rënie të ndjeshme nga viti 1994, që ka qenë periudha e bumit të lindjeve dhe u regjistruan 72 mijë bebe.

Sot, Instituti i Statistikave publikon raporte të vazhdueshme për kostot e jetesës në vend, por ende nuk ka një raport specifik lidhur me kostot / shpenzimet e familjeve shqiptare për fëmijët nga viti në vit.

Dashuri me faturë nga pas

Të kesh një fëmijë është një moment emocionues në jetë! Nga blerja e veshjeve të para për to deri te momenti që hedhin kapelet e diplomimit, ka shumë vendime për të marrë.

Një nga gjërat e para që duhet të keni parasysh është ndikimi financiar që sjellja e një fëmije në shtëpi do të ketë në buxhetin tuaj. Nuk është sekret që bebet janë të shtrenjta. Disa nga kostot kryesore të rrugëtimit të viteve të para janë pelenat, ushqimi dhe çerdhja apo dadoja.

Ekspertë të financave personale kudo në botë pohojnë se këto kosto nuk janë arsye për t’u dekurajuar apo për të mos vendosur të zgjeroni familjen, por motive për të qenë më të kujdesshëm në planifikimet financiare afatgjata.

Të rritësh një fëmijë është një nga përvojat më të dobishme në jetë. Me një planifikim pak të avancuar, mund të rrisni kursimet tuaja dhe të përgatisni buxhetin tani për ta bërë më të lehtë menaxhimin e parave pas lindjes së foshnjës.

Megjithëse ka shumë shpenzime të përfshira në rritjen e një fëmije, disa shpenzime të mëdha përbëjnë koston e lindjes dhe rritjes së një fëmije deri në moshën 18 vjeç. Këto shpenzime të rëndësishme përfshijnë strehimin, ushqimin, kujdesin për fëmijët, arsimin dhe transportin.

Si mund t’i grupojmë shpenzimet për rritjen e një fëmijë në Shqipëri? Të gjitha të dhënat e mëposhtme janë përllogaritur nga komunikimet me institucione shëndetësore publike dhe private, biznese që operojnë në fushën e produkteve për fëmijë, supermarketet kryesore, rrëfime të prindërve, të dhëna nga institucione arsimore publike dhe private, në një mesatare çmimi në lek.

Burimi: INSTAT (Tregon sa njerëz lindin gjatë një viti kalendarik mesatarisht për çdo 1000 njerëz në popullsinë aktuale)

1.Kosto e paralindjes

Gjatë shtatzënisë deri në momentin e sjelljes në jetë të një fëmije vlerësohet të harxhohen shuma të konsiderueshme. Kostoja e parë që numërohet është testi i kontrollit shëndetësor, çmimi i të cilit varion nga 100-700 lekë në varësi të markës, në farmaci të ndryshme. Më pas, ajo që i shtohet shportës, është takimi i parë me mjekun gjinekolog/obstetër dhe në vijim ndjekja e 9 muajve të shtatzënisë në një klinikë të caktuar, spital apo në konsultore, por diferenca qëndron në çmimin që paguan për vizitë.

Në rastin e vizitave në Qendrën e Gruas, apo ndryshe konsultoret e lagjes, kostoja mbulohet nga sigurimet shoqërore e shëndetësore në rast se nëna është në marrëdhënie pune. Në të kundërt, vizitat kushtojnë mesatarisht 1500 lekë.

Në klinikat private, kostoja e një vizite (edhe eko) shkon mesatarisht 3000 lekë, ndërsa në spitalet private deri në 4000 lekë. Por, në vizita të tilla nuk përfshihen kostot e analizave apo vizitave të avancuara që kanë pagesa të tjera. Gjatë shtatzënisë është e rekomandueshme nga mjekët që nëna të bëjë të paktën shtatë vizita (një pjesë e të cilave analiza) dhe të paktën gjashtë eko (për 9 muaj).

Ndërsa ekzaminimet e tjera përfshijnë: analizat e tremujorit të parë të shtatzënisë, që konsiderohen me peshë të rëndësishme për treguesit kryesorë të shëndetit dhe që në spitalet private kushtojnë nga 25 – 35 mijë lekë. Analiza rutinë gjatë tremujorëve të tjerë që kushtojnë rreth 5500 lekë në spitalet private (gjak, urinë, teste për streptokok, INR, ECG, APTT), ndërsa në laboratorët privatë, pranë Spitaleve Shtetërore, rreth 3000 lekë.

B-test (analiza e sindromave të mundshme të foshnjës), një tjetër analizë që kryhet në shtatzëni, dikur jo e detyrueshme por vitet e fundit ndiqet brenda protokollit, në klinika private kushtojnë 7000 lekë, ndërsa në spitalet private 15 mijë lekë, analiza e glicemisë mesatarisht 4000 lekë në të dyja këto dhe Eko-ja morfologjike, një vizitë e hollësishme e zhvillimit të organeve të foshnjës, që kushton 5800 lekë.

Një tjetër kontroll i rekomandueshëm gjatë shtatzënisë është ai dentar, që në klinika private kushton mesatarisht 2500 lekë, kontroll rutinë, pastrim etj. (në raste që s’ka ndërlikime).

Një tjetër test i rëndësishëm që rekomandohet, por nuk është e detyrueshme, është NIFTY test, që është test jo invaziv prenatal, i cili përdoret për caktimin e skriningut gjenetik të fëmijës në barkun e nënës, nga java e dhjetë e shtatzënisë dhe më tutje. Ky test është i kushtueshëm dhe kostoja e tij nis nga 70 mijë lekë, në varësi të klinikës.

Vëzhgimet në disa familje që kanë mirëpritur anëtarin e ri në shtëpinë e tyre në harkun kohor të pesë viteve të fundit, tregojnë se me qëllimin për të pasur një cilësi sa më të mirë të analizave dhe vizitave, shumica zgjedhin klinikat private, në krahasim me ato shtetërore. Ato madje shtojnë se në vizitat në qendrat shtetërore, shumica e analizave nuk kryhen. Rastet e mungesës së mbështetjes financiare detyrojnë shumë femra që të vizitojnë gjatë gjithë periudhës Qendrën e Gruas, që edhe në rastin e mungesës së sigurimeve shëndetësore për nënën, kostoja është dukshëm më e ulët.

Si total i përllogaritur në klinikat private apo spitale, kostoja e analizave, vizitave dhe ekove shkon mesatarisht 60 mijë lekë. Në rastin e vizitave në qendrën shtetërore, kostoja qëndron vetëm në analiza që kryhen në laboratorë jashtë qendrës që nuk e kalon shifrën e 20 mijë lekëve në total. (Nuk përllogariten metodat e fertilizimit in-vitro për çiftet që hasin vështirësi për të pasur një fëmijë, kostoja e tyre në Shqipëri shkon deri në 2500-3000 euro).

Nëna duhet të marrë edhe ilaçet e nevojshme që mundësojnë një zhvillim më të mirë të fëmijës, të cilat janë: acid folik që kushton mesatarisht 500 lekë (3 muajt e parë); vitaminat prenatal, mesatarisht 2500 lekë (nevojiten për 6 muajt pasues dhe në periudhën e gjidhënies), me rekomandim omega që kushtojnë mesatarisht 1100 lekë apo hekur/kalcium/magnez, 20 tableta rreth 1300 lekë.

Në një fazë të dytë, një grua shtatzënë fillon t’i kushtojë shumë më tepër rëndësi mbarëvajtjes së shëndetit të saj. Mjekët këshillojnë të konsumohen më tepër fruta e perime të freskëta, bulmetra, mish, peshk e më pak brumëra e ëmbëlsira. Ndaj çdo femre i duhet të ndryshojë regjimin në favor të ushqimeve më të shëndetshme, shpesh për rrjedhojë, edhe më të kushtueshme.

Pas muajit të katërt të shtatzënisë fillojnë edhe shpenzimet për veshjet e nënës, ndonëse një pjesë e madhe e tyre zgjedhin që të mos shpenzojnë shumë dhe të stilojnë veshjet e tyre në bazë të gardërobës që kanë. Shpeshherë kjo gjë bëhet sfiduese, pasi pesha shtesë që një grua shtatzënë mund të fitojë nis nga 8 kg – 25 kg.

Pikërisht në këto raste kur shndërrohet në një domosdoshmëri për shkak të ndryshimeve radikale në peshë, të gjithë femrat drejtohen drejt dyqaneve me veshje për nënat shtatzënë, një kosto e rritur dhe e pakuptuar.

Veshjet rekomandohen të merren të lirshme, me format trupore tashmë të ndryshuara, që të mos dëmtojnë shëndetin e nënës dhe fëmijës. Vitet e fundit në Shqipëri ka sektorë të caktuar të veshjeve të tilla, që duke qenë “sezonal” sikurse përcaktohen edhe nga përfaqësuesit e shitjeve, ka kosto më të larta se sa veshjet normale.

Sipas vëzhgimeve në tre dyqane të tilla – dy marka turke të njohura dhe një italiane (De Facto, LC Waikiki, Prenatal) – një fustan dimëror kushton mesatarisht 3000 lekë, një fustan veror rreth 2500 lekë, pantallonat nga 2000-4000 lekë, streçet 1000-1500 lekë, pizhamet rreth 3000 lekë, kosto më të larta kanë veshjet dimërore si pallto, xhaketa, etj.

Duke marrë minimumin e kërkesave për ndërrim gardërobe, një femre i duhen të paktën 20 mijë lekë shpenzim për periudhën e dimrit dhe 10 mijë lekë shpenzim në veshje për periudhën e verës.

Ka edhe të tjera shpenzime në periudhën e paralindjes që u shtohen kostove të familjes, ende pa lindur bebi, por që konsiderohen si shpenzime luksi dhe jo të gjithë i kanë kapacitetet monetare për t’i përballuar dhe i shmangin.

Këta përfshijnë: kurse joga për nënën shtatzënë, mesatarisht 3000 lekë/muaj; kurse prenatale për kujdesin ndaj foshnjës, risi në tregun shqiptar, kosto mesatarisht 3000 lekë muaj, aksesorë për rehatinë e një gruaje shtatzënë si jastëkë në formë U, borsa për menaxhimin e vapës, kremra për kujdesin personal ndaj ndryshimeve të lëkurës etj., kosto të cilat llogariten rreth 10 mijë lekë në total.

2.Kostot e vitit të parë

Shpenzimet e bebes para lindjes:

Kërkohen disa blerje të rëndësishme përpara lindjes së fëmijës suaj. Nuk ka një listë të caktuar të artikujve të nevojshëm, por me siguri do të investoni në një krevat, set karroce, govatë, shishe, rroba dhe karrige makine (seggiolino) kur fëmija juaj të mbërrijë. Kostot mund të përfshijnë një gamë më të gjerë, ndër të cilët mund të përmendim edhe relaks, aksesorë etj., por buxheti minimal do të ishte 100 mijë lekë, për të mbuluar atë që do t’ju nevojitet në fillim.

Muaji 1 – Shpenzimet më të mëdha të bebes

Muaji i parë i jetës së foshnjës mund të jetë më i shtrenjti, sepse përfshin kujdesin e maternitetit, koston e lindjes, kujdesin pas lindjes dhe qëndrimin në spital.

Shifrat mund të ndryshojnë në varësi të qytetit ku jetoni, llojit të lindjes dhe spitalit: shtetëror apo privat. Ndërsa kostot e lindjes në disa qytete në Shqipëri mund të kalojnë 20 mijë lekë, kostoja mesatare në qytetin e Tiranës për lindjet natyrale në spital shtetëror është 30 mijë lekë, ndërsa në spital privat është 12 mijë lekë. Gjithçka mund të ndryshojë në varësi të lindjes natyrale apo çezariane, të komplikimeve të ndryshme të shëndetit, kosto ekstra në rast se ka nevojë për hospitalizim më të lartë etj.

Muajt ​​2 dhe 3 – Shpenzimet e të ushqyerit dhe kujdesit ditor

Zbulimi i një rutine gjumi është sfida më e madhe dhe këtë gjë, e dinë të gjithë prindërit. Lajmi i mirë është se foshnjat zakonisht nuk kërkojnë shumë përtej qumështit të gjirit, formulave dhe pelenave në këtë pikë. Nëse jeni duke ushqyer me gji, kostot tuaja do të jenë më të ulëta (përveç shpenzimit të një pompe, e cila kushton diku nga 2-12 mijë lekë, ndërsa formula apo qumështi pluhur do t’ju kushtojë mesatarisht 2 mijë lekë pakoja dhe nevojiten tre të tilla në muaj.

Shtoni rreth 2 mijë lekë për biberonin shishe dhe 3500 lekë në muaj për pelenat, pa marrë në konsideratë kosto të përkujdesit intim ndaj nënës apo gama e gjerë e produkteve kozmetike që bebit i nevojiten: kremra, vitamina, shampo etj. Janë edhe disa vaksina që duhet të bëjë fëmija dhe disa vizita te mjeku gjatë këtyre muajve, që gjithashtu janë kosto. Shuma e parashikuar mujore: 30 mijë lekë.

Muaji 4 – Shpenzimet mujore të kujdesit për fëmijën

Nëse ktheheni në punë pas lindjes së foshnjës, kujdesi për fëmijët mund të marrë pjesën e luanit të buxhetit duke filluar nga ky muaj. Sipas të dhënave të marra në terren në kryeqytet, kostot mujore të kujdesit për fëmijët janë rritur ndjeshëm në 6 vitet e fundit.

Kostoja mesatare mujore e kujdesit për fëmijët për një foshnjë është 25 mijë lekë për një dado dhe 20 mijë lekë për një çerdhe private (çerdhet shtetërore pranojnë bebe mbi 6 muaj).

Këto kosto ndryshojnë midis qyteteve dhe marrëveshjeve të secilës familje me dadon apo çerdhen, por nevojitet një buxhet nëse keni nevojë për përkujdesje të jashtme për fëmijën ndërsa ju punoni. Shuma e parashikuar mujore: 25 mijë lekë, kosto përkujdesje si dhe pelena, pra kosto bazike. (pa rroba, ushqime etj).

Muajt ​​5 dhe 6 – Lista e shpenzimeve të foshnjës, ndërsa rriten

Diku rreth pesë muajve, foshnja arrin një moment historik në zhvillim dhe fillon të hajë ushqime të ngurta. Shpesh prindërit fillojnë me puretë, të cilat mund t’i bëni vetë lehtësisht.

Krahasuar me ushqimin për fëmijët më të rritur, foshnjat ende marrin pjesën më të madhe të kalorive nga qumështi ose formula. Planifikoni të shpenzoni afërsisht 5 mijë lekë në muaj për frutat e perimet e përzgjedhura dhe produktet drithëra të blera të gatshme për fëmijët. Gjithashtu, kosto e konsiderueshme janë e enët që duhet të jenë të përshtatshme për bebet sipas moshës, mesatarisht 1500 lekë një set.

Fëmija juaj në rritje po përshtatet me rroba të reja. Veshjet për fëmijë janë dhurata më e zakonshme që marrin prindërit e rinj, por kostoja mesatare e veshjeve është rreth 5000 lekë në muaj për vitin e parë. Përdorimi i rrobave të dorës së dytë, ose blerja në dyqanet e veshjeve të përdorura, mund t’ju ndihmojë të kurseni. Shuma e parashikuar mujore: 315 mijë, bashkë me çerdhen apo dadon, vizitë mjeku.

Muajt ​​7, 8 dhe 9 – Shpenzimet për sigurinë e bebeve

Zakonisht, foshnjat fillojnë të zvarriten rreth kësaj moshe, kështu që tani është koha për të vendosur portat e sigurisë, për të instaluar siguresa në bravat e dyerve dhe kapakë në prizat në shtëpi.

Gjatë kësaj periudhe blihen edhe lodra, pasi fëmija është i aftë të qëndrojë ulur dhe të prekë, luajë. Me lëvizjen e tyre, blihen rrethore apo aksesorë si dyshekë, gardhe rrethues, izolues për shkallët në shtëpi, në varësi të madhësisë dhe strukturës së shtëpisë. Shuma e parashikuar mujore për këto shpenzime: 6000 lekë (pa çerdhe, dado, ushqim, pelena, rroba, vizitë mjeku etj.)

Muaji 10 dhe 11 – Shpenzimet e kujdesit të fëmijës

Në këta muaj, ka nevoja bazike si ushqime, pelena, përkujdes shtesë pra çerdhe apo dado, aksesorë, vizitë e përmuajshme mjeku etj. Shuma e përllogaritur mujore: 32 mijë lekë.

Muaji 12 – Viti i parë i shpenzimeve mujore të fëmijës ka përfunduar

Urime, e keni kaluar vitin e parë të prindërimit! Deri në këtë pikë, ju duhet të keni një ide se çfarë nevojitet në buxhetin tuaj mujor të tij, kështu që shpresojmë se nuk do të ketë ndonjë shpenzime të papritura, që mund të përfshinte ndonjë kosto për arsye shëndetësore ekstra.

Ndërsa përgatiteni për vitin e dytë, filloni të shikoni mënyra se si mund të kurseni në kujdesin për fëmijët dhe sendet e reja që do t’ju nevojiten. Dhe planifikoni një shtesë prej 10 mijë lekësh këtë muaj që do të duhej për festën e ditëlindjes së parë. Kostot e mësipërme përfshinin kujdes foshnjor privat, në rast se fëmija shkon në çerdhe publike, kostoja prej 20 mijë lekë mesatarisht në muaj do të bëhej 3000 lekë në muaj.

3.Kostot e rritjes

Kostot e rritjes së një fëmije po shtohen nga viti në vit. Sipas hulumtimit të fundit të care.com, globalisht, ajo është mesatarisht 240,000 euro për fëmijët e moshës 5 deri në 18 vjeç. Dhe shpenzimet më të rëndësishme përfshijnë kujdesin për fëmijët, arsimin, ushqimin dhe veshjen.

Nëse shikojmë koston mesatare të kujdesit për fëmijët në Itali, Spanjë, Francë dhe Gjermani, ato ndryshojnë ndjeshëm nga vendi në vend. Në Shqipëri nuk ka studime, por kostot më të larta do të përfshinin: kosto strehimi, në rast se familja tashmë në zgjerim, vendos të blejë një shtëpi, çmimi i së cilës varet nga vendndodhja.

Një kosto tjetër është ushqimi, për të cilët INSTAT përllogarit se shpenzimet mesatare mujore për konsum të NjEF-ve në vitin 2020, të përbërë mesatarisht nga 3,6 persona, arrijnë në 83.475 lekë.

Me inflacionin në rritje që nga fillimi i këtij viti, pritet që të arrijë në një kosto më të lartë, duke qenë se në mars 2022, ccmimet e orizit, miellit, bukës, makaronave, vajit po shënojnë rritje të dukshme.

Një grup tjetër që i shtohen kostot së rritjes së fëmijëve është cikli parashkollor i edukimit, mesatarisht 25 mijë lekë në muaj, kurse të ndryshme artistike, muzike, sportive me një kosto mesatarisht 3000 lekë në muaj. Ndërsa kostoja e shkollave, ndryshon sipas sistemit publik ose privat: shkollat publike kanë kosto relativisht të ulëta: mjete mësimore, pagesa roje etj., ndërsa shkollat private nisin nga 200 euro deri në 800 euro në muaj.

Presion i shtuar ndaj prindërve që punojnë?

Shumë studime jashtë tregojnë se nënat shpesh duhet të kthehen në punë pas lindjes për shkak të kostove të larta të kujdesit për fëmijëve dhe një pagesë shumë të ulët ose fare, të mbuluar nga kujdesi shëndetësor publik.

Sigurisht, paratë janë vetëm një faktor. Gratë tani kanë më pak gjasa të zgjedhin të qenët nënë që rrinë në shtëpi në vend të ambicieve për karrierë.

Burimi: INSTAT

Kostoja mesatare e lindjes së një fëmije në Europë

Ndonëse në përmasa të vogla, foshnjat priren të vijnë me shpenzime të mëdha. Ndërsa kostoja e lindjes së një fëmije ndryshon nga vendi në vend, prindërit e rinj në të gjithë Europën bien dakord se është një ngjarje emocionuese, por e kushtueshme e jetës.

Nga shpenzimet e drejtpërdrejta si pelenat dhe pajisjet për fëmijë deri te shpenzimet më pak të dukshme si ushqimi dhe aktivitetet rekreative, shpenzimet e foshnjës rriten.

Përpara se të zvogëlojmë ndarjen e kostos, këtu është një përmbledhje e shpejtë e kostos mesatare të lindjes së një fëmije në të gjithë Europën:

  • Italianët vlerësojnë se në vitin e parë të jetës, një fëmijë kushton mbi 3500 euro.
  • Franca. Prindërit francezë shpenzojnë mesatarisht 4060 euro në vitin e parë pas lindjes së një fëmije.
  • Gjermania. Mesatarisht, prindërit gjermanë duhet të paguajnë 7050 euro.
  • Spanja. Në Spanjë, prindërit e rinj vendosin afërsisht 3600 euro për nevojat e foshnjave.

Meqenëse shumica e vendeve europiane ofrojnë kujdes shëndetësor gjithëpërfshirës falas si pjesë e BE-së, shumica e shpenzimeve janë të lidhura me pajisjet thelbësore për fëmijë:

  • Kostoja mesatare e një karrige makine është 160 €
  • Kostoja mesatare e veshjeve për të sapolindurit (ju duhen të paktën 5) është 18 €
  • Kostoja mesatare e një batanije është 10 €
  • Kostoja mesatare e një krevati fëmijësh është 276 €
  • Kostoja mesatare e një karroce për fëmijë është 456 €

Si grupohen shpenzimet për fëmijët në Shqipëri

  • Kostot e paralindjes
  • Kostot e vitit të parë

Kostot e rritjes:

  • Shkollimi
  • Ushqimi/strehimi
  • Kujdesi shëndetësor
  • Kosto dëfrimi/aktivitete rekreative

Monitor

/faxweb