Ende pa dalë në një reagim zyrtar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, mësohet se në Patos, kanë rezultuar pozitiv me koronavirus 8 persona. Rastet janë zbuluar së fundmi dhe mësohet se infektimi është marrë në të njëjtin vend ka të gjithë personat në fjalë.

Ata kishin marrë pjesë në një dasëm në Zharrëz të Fierit ndërsa një situatë e tillë ngre alarmin se edhe më shumë persona mund të kenë pasur të njëjtin fat, ndërkohë nuk ka informacione nëse ndaj dasmorëve të tjerë është kryer gjurmimi dhe marrja e tamponeve.

Nga ana tjetër, pavarësisht ndëshkimeve me gjoba dhe mbyllje të aktiviteteve, dasmat ndonëse të reduktuara kanë vijuar të zhvillohen.

Autoritetet kanë bërë herë pas here thirrje për shmangie të grumbullimeve e sidomos në ceremoni martesore apo varrime, por me sa duket ka zënë shpesh në vesh të shurdhër.

Ka pasur edhe denoncime të  llojit se është e vështirë t’ju thuhet qytetarëve që mos bëni dasma, ku së fundmi kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu ka deklaruar publikisht se masa të tilla ku ndalohen dasmat të bëhet ose për të gjithë ose për askënd duke hedhur aludime se bëhen diferencime. Janë pikërisht këto diferencime që në disa raste çojnë në pasoja të tilla si ai i Patosit.

(F.GJ/FAXWEB.AL)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re