Zëvendës sekretari amerikan i shtetit, David Hale, pritet që të zhvillojë një vizitë zyrtare më 8 dhe 9 mars në Beograd dhe në Prishtinë për të nxitur te dyja palët që të ulen në tryezën e bisedimeve për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

 

Departamenti amerikan i shtetit, bën me dije se sekretari Hale do të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin.

 

“Në Beograd ai do të bisedojë me zyrtarët serbë marrëdhëniet dypalëshe dhe do të nxis kthimin në tryezën e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ai do të diskutoje edhe me drejtuesit e shoqërisë civile për çështje rajonale e globale, përfshirë ndikimin rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimorë”.

 

Ndërsa më pas më 9 mars në Prishtinë, ai do të takojë udhëheqësit e lartë të Kosovës “për të nënvizuar mundësinë historike për të arritur një marrëveshje të plotë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe për të kërkuar masa për të arritur një zgjidhje”.

 

Zoti Hale është zyrtari më i lartë amerikan që kohët e fundit viziton Kosovën për të nxitur autoritetet që të hapin rrugën për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, të cilat janë pezulluar për shkak të kushtëzimit të tyre nga Beogradi me pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe, që u vendosën nga qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re