Sekretari britanik i Shtetit për Daljen nga Bashkimi Evropian, David Davis, njoftoi të premten se data përfundimtare e Brexit-it do të jetë 29 marsi 2019.
Ai theksoi se data përfundimtare e largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja do të zërë vend si një nen shtesë në ligjin për Brexit-in, negociatat rreth të cilit s’kanë përfunduar ende. Kohët e fundit, disa parlamentarë anglezë kishin shprehur vazhdimisht shqetësime rreth mospërfshirjes një date përfundimtare të Brexit-it në legjislacionin e Mbretërisë së Bashkuar.
Kështu, me divorcin britanik nga Bashkimi Evropian më 29 mars 2019, Brexit-i do të realizohet plot 2 vite pas njoftimit të Kryeministres Theresa May për fillimin zyrtar të procesit.
Sipas rezultateve të referendumit të vitit të kaluar në Angli, 52 për qind e zgjedhësve votuan në favor të largimit të vendit nga BE-ja.
Nga ana tjetër, Brexit-i parashikohet t’i kushtojë shtrenjtë Gjermanisë, pasi tërheqja e Londrës nënkupton një rritje me rreth 4 miliardë euro të kontributit financiar të Berlinit për Bashkimin Evropian.
Me largimin e Anglisë – komentojnë mediat gjermane – në buxhetin e Unionit do të krijohet një deficit prej 10 miliardë e 200 milionë eurosh dhe kjo do të sjellë një barrë financiare shtesë për Gjermaninë, vendi që jep aktualisht kontributin më të madh për arkën e përbashkët të bllokun me 28 shtete anëtare. //.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re