Edi Rama shpalli dy ditë më parë se do të takohet në Davos me homologun grek Alexis Tsipras për të finalizuar marrëveshjen e nisur në Korçë nga ministrat e Jashtëm.
Davosi ka kohë që ka hyrë në fjalorin global, jo vetëm si një mbledhje e njerëzve me pushtet, por si një klishe që nënkupton elitat financiare dhe ato me fuqi vendimmarrëse.
Samuel Huntingtoni, profesori i Harward-it ka krijuar stereotipin e “Davos Man”-njeriu i Davosit, me të cilin emërtohen një grusht i vogël njerëzish që vendosin për gjithçka.
Këtë vit në Davos marrin pjesë 2500 VIP-a, krerë qeverish dhe CEO të kompanive më të fuqishme të botës.
Shqipëria zakonisht nuk ka marrë pjesë në Davos, ngaqë atje trajtohen çështje të nivelit global, por në samitin e këtij viti duket se do të flitet mjaft për Ballkanin, ndaj janë ftuar thuajse të gjithë rajonit.
Përveç Edi Ramës dhe Alexis Tsiprasit, në Davos këtë vit marrin pjesë edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç dhe ai i Maqedonisë Zoran Zaev.
Tema e Davos 2018 është “Krijimi i një të ardhmeje të përbashkët në një botë të ndarë”.
Por një nga temat kryesore që do të preken në 3 ditët e Forumit Botëror është edhe Partneriteti Publik Privat, që Edi Rama po e praktikon prej tre vitesh në Shqipëri.
Po çfarë është Davosi?
Ndryshe quhet dhe Forumi Ekonomik Global. Çdo vit në janar, në një resort luksoz  dimëror në Alpet e Zvicrës, mblidhen mbi 1 mijë kompanitë më të fuqishme të botës, të cilat japin formë diskutimeve mbi zhvillimin global.
Klaus Schwab, themeluesi i Davosit që e krijoi në 1971 e cilëson Forumin Botëror si një “mundësi për të diskutuar për një të ardhme më të mirë”.
Kurse kritikët e konsiderojnë këtë samit si një përqëndrim dhe monopolizim të çështjeve globale nga një grusht të fuqishmish që vendosin gjithçka për të rritur fitimet e tyre.
Naom Chomsky, shkrimtari i njohur amerikan që është ideologu i të majtës amerikane, ka themeluar grupimin No Globalpër t’ju kundërvënë atyre që i quan si “Oligarkia e Davosit”.
Pra disa e quajnë si një Klub të Pasurish dhe oligarkësh.
Por shpesh në këtë forum ku marrin pjesë mediat më kryesore të botës kanë ndodhur edhe evenimente të rëndësishme politike, si në 1992 kur Nelson Mandela u takua me presidentin e Afrikës së Jugut De Klerk, apo 1994 kur Arafat takoi Shimon Perez për herë të parë.
Vitet e fundit, Davosi u bë i famshëm për kritikat e zjarrta që Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan i bëri presidentit të Izraelit, Shimon Peres në lidhje me Palestinën, që më pas u ngrit  dhe e u largua nga samiti.
Ai që merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror si individ duhet të paguajë 50 mijë dollarë kuotë vjetore, ndërsa si kompani duhet të paguajë 260 mijë dollarë.
Në samitin e sivjetshëm nuk merr pjesë asnjë zyrtar i lartë nga Rusia, kurse nga Shtëpia e Bardhë do të jetë dhëndri i Presidentit të SHBA-së, Jared Kushner, shkruan te sheshi. Sipas të gjitha gjasave do të flitet shumë për Jerusalemin. Nga Turqia do të jetë prezent zv.kryeministri Mehmet Simsek dhe ministri i Ekonomisë, Nihat Zeybekçi.
Mungesa e përfaqësuesve nga Moska zyrtare, ka gjasa se është një sinjal që të flitet për influencën ruse në Europë e kryesisht në Ballkan.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re