Xhani De Biazi është i sigurt se Thomas Strakosha do të jetë një element vendimtar për të ardhmen e Lacios dhe ambiciet e klubit italian.

Ish-trajneri i përfqësueses shqiptare duke folur për mediat italiane, ka vlerësuar portierin i cili duket se ka rrëmbyer vendin e titullarit në radhët e përfaqësueses kuqezi ndërsa në Itali shihet ndër më cilësorët.

“Thomasi i madh”, tha duke qeshur ai, i pyetur rreth polemikave që kanë lindur disa herë për paraqitjet e gardianit kuqezi të Lacios.

“Për të do të jetë një vit konfirmimi dhe përmirësimi, pres gjëra të mëdha nga ai pasi ka të gjithë gjërat që duhen për të bërë mirë. Unë e vlerësoj shumë, është një djalë i mbarë, mund të bëjë rrugë. Shumë njerëz kanë dyshime te ai, por nuk e kuptoj arsyen pse.

Ai ka treguar se është i fortë dhe si të gjithë portierët mund të bëjë gabime, mendoj se gjërat që e shquajnë janë më shumë pozitive se negative”, tha De Biazi për Strakoshën.

Ndërkaq, De Biazi ka folur edhe për të ardhmen e tij, duke konfirmuar se po bëhet gati të nisë një rrugëtim të ri në karrierën e tij, me sa duket përsëri me një kombëtare.

“Në staf jam me Klaudio Beluçin, po lëviz diçka. Kemi pasur një takim në javën e kaluar dhe jemi në pritje të mësojmë se çfarë duan të bëjnë.

Klub? Jo, flasim për një kombëtare. Europiane? Nuk mund të them më shumë…”, ishin fjalët e De Biazit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re