Skip to content

Debat ballë për ballë me Ramën, Basha: Kam që nga 2011 që e kërkoj, por më refuzon

Kryedemokrati Lulzim Basha ka dhënë një intervistë nga zyra e tij për emisionin “Java në RTSH”, ku edhe ka folur lidhur me situatën në të cilën ndodhet vendi për shkak të koronavirusit.

Moderatorët e emisionit, Preç Zogaj dhe Lorenec Vangjeli e kanë pyetur Bashën nëse do të ishte dakord që të përballej në një debat publik me kryeministrin Edi Rama.

“Kam që nga viti 2011 që e kërkoj në një debat por ju e dini që ai ka refuzuar. Më duket se ka më shumë në fakt që refuzon,”-tha Basha.

Pyetje: Do të preferonit të bënitn një debat me zotin Rama në këtë hapësirë publike, nën moderimin tonë?

Lulzim Basha: Do t’ju shkojë dëm përpjekja, sepse zotin Rama ka që prej vitit 2011 që e ftoj në debat, por ai nuk ka pranuar. Në çdo moment jam i hapur për debat, por ai ka refuzuar të vijë në debat me mua. Po mbushet dekada e dytë që refuzon të dalë në debat. Megjithatë, dua të them diçka. Kur të vijë dita, absolutisht çdokush do të mbajë përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet. Pa diskutim, këtu roli i kryeministrit është kyç.

Ndërkohë që gjendemi akoma në këtë situatë, mendoj që ua kemi borxh shqiptarëve që, në vend të spektaklit që mund të ofrojë një debat i dëshiruar, për te cilin shpreh gatishmërinë time në çdo moment, që energjia dhe fokusi i kryeministrit të jetë tek detyrat që duhen kryer dhe nuk po kryhen.