Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dha sot një deklaratë për mediet para nisjes së debatit të hapur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju-Jork.

 

Këshilli i Sigurimit mblidhet sot për të diskutuar mbi Axhendën për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”. Tema e debatit është: “Roli i organizatave rajonale në zbatimin axhendës Gratë, Paqja dhe Siguria përballë trazirave politike dhe marrjes së pushtetit me forcë”.

 

“Ngjarjet e fundit në Ukrainë, Afganistan, Sudan, Myanmar ose Mali, duke përmendur vetëm disa prej tyre, kanë ndikuar në mënyrë drastike në perspektivat për organizatat e grave dhe avokatët e barazisë gjinore në këto vende. Angazhimet kombëtare për gratë, paqen dhe sigurinë janë ndërprerë papritur dhe hapësira qytetare është tkurrur në mënyrë dramatike”, u shpreh Xhaçka në nisje të fjalës së saj.

 

 

“Roli i organizatave rajonale në çështjet që lidhen me Axhendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm duke pasur parasysh rëndësinë dhe kompleksitetin e sfidave me të cilat përballet komuniteti ndërkombëtar sot. Në shumë mënyra, organizatat rajonale kanë kapacitete unike dhe plotësuese që kur koordinohen siç duhet me Sistemin e OKB-së, mund të prodhojnë rezultate të mira, të shpejta dhe efektive, në ruajtjen ose përshpejtimin e zbatimit të Axhendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, veçanërisht në kontekstin e trazirave politike dhe marrjes së pushtetit me forcë”. “Organizatat rajonale janë shpesh të parat që reagojnë në përgjigje të krizës, për t’u angazhuar me palët e interesuara për të siguruar mbrojtjen e civilëve. Ato janë të vendosura në mënyrë unike për të ndërtuar besim dhe për të promovuar dialogun ndërmjet palëve të interesuara, si dhe për të ofruar mbështetje në ndërmjetësimin dhe pajtimin; dhe mund të jenë ndikuese në avokatimin për pjesëmarrjen e plotë, të barabartë dhe kuptimplotë të grave, si dhe në sigurinë dhe pjesëmarrjen e tyre në të gjitha aspektet e paqes dhe sigurisë”, theksoi Xhaçka.

 

“Ky debat i hapur do të ketë një qëllim të dyfishtë: Së pari, për të hedhur dritë mbi mangësitë e vazhdueshme në zbatimin e kuadrit normativ për gratë, paqen dhe sigurinë në kontekste të shënuara nga grushtet ushtarake të fundit, apo marrja e pushtetit me forcë. Së dyti, për të mbledhur dhe ndarë përvojat dhe idetë më të mira mbi mënyrat se si Këshilli i Sigurimit ose organizatat rajonale mund të mbrojnë dhe avancojnë më tej këtë agjendë në situata të tilla, duke përfshirë mbështetjen e punës së grave paqendërtuese, organizatave të shoqërisë civile dhe ta vëmë analizën gjinore në qendër të strategjive tona të parandalimit dhe reagimit”, u shpreh ministrja Xhaçka.

 

“Vetëm duke punuar së bashku me organizatat rajonale, mund të mbyllim hendekun e madh midis kuadrit normativ dhe zbatimit të Axhendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në terren. Ky bashkëpunim është veçanërisht jetik në kontekstin e grushteve ushtarake të fundit dhe marrjes së pushtetit me forcë, ku kemi qenë dëshmitarë të ndërprerjes së papritur të angazhimeve kombëtare për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Unë besoj fuqimisht se Debati i Hapur i sotëm do të shërbejë si një mundësi e mirë për të shkëmbyer pikëpamje, për të ndarë përvojat më të mira dhe për të sjellë njohuri dhe perspektiva të reja se si të përshpejtohet zbatimi i Axhendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, përfundoi Xhaçka.

 

Në debatin e hapur të drejtuar nga Shqipëria do të marrë pjesë Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së dhe përfaqësues nga Unioni Afrikan, Liga Arabe, BE dhe UN Women.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re