Të enjten, parlamenti në një seancë maratonë do të diskutojë çështjen e ish-zyrtarit të lartë të FBI, McGonigal, dhe lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama.

 

Pas mbledhjes së grupit parlamentar socialist, Taulant Balla sqaroi se në 2 mars çdo deputet ka të drejtën të flasë deri në 10 minuta.

 

TAULANT BALLA

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PS

 

“Mendoj se 24 orë janë të mjaftueshme. Duhet t’ju them se grupi ynë parlamentar mezi po e pret mocionin me debat për të diskutuar disa të vërteta me rëndësi për shqiptarët”

 

Të enjten pritet që para deputetëve të flasë edhe kryeministri Edi Rama për çështjen McGonigal.

 

Nga ana tjetër, Balla ka komentuar edhe qëndrimet publike të ish-ministrit socialist Arben Ahmetaj, në lidhje me inceneratoret.

 

“PS e Shqipërisë vijon t’i mbetet qëndrimit se jemi një republikë parlamentare ku drejtësia ka punën e vet dhe Kuvendi ka punën e vet. Secili duhet të respektojë të gjitha e veprimet e çdo institucioni. Ne nuk jemi nga ata që pengojmë punën e drejtësisë”

 

Pas publikimit të vendimit të gjykatës kushtetuese për ministren e jashtme Olta Xhacka, Balla sqaroi se Këshilli i Legjislacionit do të vendosë në momentin kur çështja e mandatit të saj do të diskutohet në seancë plenare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re