Këtë të hënë Euro preku nivelin më të ulët historik, atë të 102.3 lekëve, referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

 

Një euro më e dobët ndihmon në zbutjen e inflacionit sepse mallrat e importit që futen në vendin tonë bëhen më të lira.

 

Por sipas deputetit socialist Erion Braçe, rënia e çmimeve nuk është reflektuar për konsumatorët, edhe pse kursi i këmbimit sot është në favor të kësaj.

 

 

ERION BRAÇE

DEPUTET I PS

“Nga marsi i vjetshëm në qershor euro ka rënë me gati 16%. Ne kemi eksportues neto. Ne kemi importuar gati 15 mld euro ushqime dhe shërbime. Dini ndonjë produkt që ti ketë rëne çmimi 16% vetëm si efekt i rënies së euros? Përtej faktit që kemi pasur rënie të çmimeve, dini ndonjë produkt që i ka rënë çmimi 16%? Këto para po i fitojnë tregtarët që dominojnë tregjet. Pyetja që më vjen krejt normale është, minimalisht në 15 mld euro të importuara, si efekt i kursit të këmbimnit, duhet të ishin transferuar te çmimet e mallrave. Dhe nëse janë fitime, mos kemi një burimt ë ri të ardhurash që kompenson sektorin e eksporteve?”

 

Ky qëndrim i Braçes në Komisionin e Ekonomisë nxiti përplasje mes vetë socialistëve. Deputeti Vullnet Sinaj shpjegoi sipas tij, pse nuk mund të ulen çmimet.

 

VULLNET SINAJ

DEPUTET I PS

“Bizneset sot përballen me kosto e konkurrencë. Duhet të jemi koshientë që është rritur paga minimale dhe kjo është kosto e madhe. Nuk mund të diskutojmë që biznesi po përfiton nga kursi i këmbimit. Mund të bien çmimet, të bjerë euro, por është konkurrenca në treg që nuk i lë bizneset të përfitojnë.”

 

Gjatë mbledhjes, u miratua akti normativ që ngrin për eksportuesit pagesën e kësteve të tatimit mbi fitimin për periudhën e mbetur të vitit 2023, si një masë lehtësuese për ta për shkak të efektit financiar që u ka shkaktuar kursi i këmbimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re