Diskutimi  i projektligjit për Amnistinë Penale në Komisionin e Ligjeve është shoqëruar me debate gjatë kësaj të marte.

Deputeti i Partisë Demokratike zyrtare, Enkelejd Alibeaj ka kërkuar që t’i paraqiten të gjithë amendamentet e propozuara së bashku me qëndrimin e qeverisë dhe të lihet një ditë tjetër mbledhja për t’u votuar.

Klotilda Bushka i është përgjigjur duke i thënë se të gjithë e kanë materialin dhe nuk ka ndonjë volum të madh për të dhënë disa kohë, duke u shprehur se është dakord me relatorin që mbledhje të shtyhej për disa orë, por jo më shumë.

Deputeti i PS, Pandeli Majko në krahun tjetër ka kundërshtuar duke u shprehur se nuk është e nevojshme të shtyhet as edhe një  orë, pasi kanë 3 muaj që e kanë në dorë projektligjin.

Të njëjtën gjë ka thënë edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Alibeaj: Do të doja që t’i kisha amendamentet e shkruara dhe qëndrimin e qeverisë mbi këto amendamente. Ne do të duam të bëjmë analizën dhe do të duhet një ditë tjetër. Jam në pritje të përgjigje për kërkesën time. Unë jam më prezent në mbledhje.

Bushka: Materialin e keni. Nuk është ndonjë volum punë kaq i madh. Janë çështje që i kemi diskutuar edhe më parë. Kështuqë mua më duket se po marrim kohë më shumë me këtë çështje se sa me thelbin. Jam dakord me relatorin që të jepet kohë për disa orë.

Pandeli Majko: Nuk kemi pse ta shtyjmë me 1 orë. Ka 3 muaj që kemi në dorë projektligjin. Të vazhdojmë me procedure e diskutimit nen për nen

Ulsi Manja: Ka 3 muaj që diskutohet dhe sot është çështje qasje e vullneti, do ta japësh votën për këtë kategori përfituese, po ose jo. Të tjera janë artifica politike, pasi ky ligj do 84 vota për të kaluar në seancë. Nuk votohet nëse thuhet, kështu si them unë ose s’ka

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re