Financimet ruse në PD kanë shkaktuar debat në seancën e sotme plenare, mes Taulant Ballës dhe Edmond Spahos.

 

Balla tha se Rusia po godet demokracitë në vendet e tjera përmes blerjes së një force politike apo mediave.

 

“Na ka ardhur një shqetësim nga ambasadorja e SHBA në Tiranë, me një lajm i cili u bë publik. Ka të bëjë me ndërhyrjen e aktorëve të huaj, në rastin në fjalë të Rusisë në jetën e demokracisë ën vend. Përfshirja e Rusisë me financime të drejtpërdrejta ndaj një force politike apo mediave të caktuara duhet që Kuvendin e Shqipërisë të shqetësojë, dhe të miratojë sa më parë të gjitha mekanizmat mbrojtës. Edhe Shqipëria nuk paskërka qenë imune ndaj sulmeve të këtij lloji. Ato janë sponsorizime për aktorë politikë apo media të caktuara.

 

Ne jemi sot në kushtet kur në Malin e Zi prokuroria dhe policia arrestojnë persona të përfshirë në spiunazh për interes të Rusisë. Ne jemi sot në luftë, nëse Kievi u godit me raketa, Rusia po godet demokracitë në vende të tjera me metoda të tjera. Sulmi ndaj Ukrainës është sulm ndaj demokracisë. Ajo që duhet të kuptojmë është se në vende të tjera përfshirë dhe Shqipërinë po goditet demokracia, kjo përmes blerjes së një force politike apo mediave të tjera. Kur ju zotëri Mondi protestonit Rusia Today transmetonte live protestën tënde. Lufta është një pjesë që ne nuk i shmangemi dot, infalcionit që është pjesë e luftës nuk i shmangemi dot. Kjo çështje në çdo vend duhet të ishte çështja që merr pjesën kryesore, sa kohë që partia përkatëse është në Kuvend. Partitë politike Mondi janë instrumentet kryesore të betejës në demorkaci”, tha Balla.

 

Ndërkohë, Spaho mohoi që PD të ketë marrë para nga Rusia dhe tha se personi që e kreu një veprim të tillë (referuar Lulzim Bashës) duhet të dalë dhe të thotë të vërtetën.

 

“Fjalët e shumta janë fukarallëk Taulant. Personi i cili ka marrë paratë duhet të ketë kurajon politike dhe morale të dalë dhe të thotë të vërtetën, nga kanë ardhur paratë. Në PD as kanë hyrë as kanë dalë para ruse apo oligarkësh. Së dyti ligje ka boll edhe në kushtet në të cilat jemi, që të vihen para përgjegjësisë ata që marrin para nga rusët apo oligarkët”, tha Spaho.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re