Propozimet për ministrat e rinj në qeverinë Zaev kanë shkaktuar debat të ashpër në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ku pritet të votohen emrat e sugjeruar nga kreu i ekzekutivit.

 

Emri i Nina Angellovska për postin e ministres së financave ka nxitur përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.

 

Deputetja e VMRO-DPMNE, Ana Llashkoska ka akuzuar kryeministrin se Angellovska emërohet si ministre vetëm që të jetë përgjegjëse e politikave të dështuara ekonomike të Zoran Zaev.

 

Ana Llashkoska: “Sot kryeministri Zaev ka vendosur që ta emërojë Nina Angellovskën ministre të Financave që një ditë të ketë se kush të mbajë përgjegjësi për përfundimin e mandatit të kësaj qeverie në mënyrë katastrofike. Buxheti për momentin është në gjendje të tmerrshme, përfitimi i kompanive çdo ditë bie dhe dëshmi për këtë është edhe ulja e pagesës së tatim fitimit.

 

Në kundërpërgjigje, kryeministri Zaev deklaroi se shifrat flasin ndryshe për ekonominë e vendit.

 

Zoran Zaev: “Para një muaji e gjysmë kritikuat pse unë e marr përgjegjësinë e financave kurse tani, pse vendos dikë tjetër që ta marrë përgjegjësinë. Komplet rriten të gjithë parametrat. Nga java e ardhshme do të kemi rishikimin e buxhetit ku kemi realizim maksimal të buxhetit pothuajse nga të gjitha aspektet. Të gjithë politikat ekonomike konfirmojnë uljen e papunësisë me përqindje të lartë, rritje të Bruto Prodhimit Vendor dhe rritje e investimeve.”

 

Mazhoranca dhe opozita patën debate të forta edhe për rastin “Zhvatja”. Nga VMRO-DPMNE akuzuan kryeministrin se ka tentuar ta fshehë rastin dhe kërkuan zgjedhje të parakohshme. Ndërsa Zaev u kundërpërgjigj se VMRO është ajo që ka fshehur zhvatjet në kohën e saj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re