Opozita kërkoi sot që parlamenti të ndryshonte rendin e ditës dhe të diskutonte vetëm çështjen e ish-zyrtarit të lartë të FBI, McGonigal, dhe lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama.
16 deputetë të Partisë Demokratike firmosën kërkesën për mocion me debat me shefin e qeverisë Rama, pasi sipas opozitës kryeministri është implikuar në korruptimin e ish-zyrtarit të FBI.
SALI BERISHA
KRYETAR I PD
“Edi Rama të vijë këtu ose të shpallë dorëheqjen dhe të dëshmojë në SHBA.”
Por mazhoranca rrëzoi kërkesën e Berishës për debat dhe kërkesën e Alibeajt për të thirrur në parlament kryeministrin Edi Rama, vendim që u shoqërua me bllokimin e foltores nga opozita.
Partia Demokratike shfrytëzoi rrjetet sociale për të komunikuar me qytetarët për çështjen e ish-zyrtarit dhe mbajti të bllokuar foltoren edhe pse kryetari i saj Sali Berisha u përjashtua.
Në këtë situatë, socialistët votuan të gjitha ligjet e parashikuara dhe parlamenti zgjati më pak se një orë.
Në fund të seancës, kryetari i PD Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se shfrytëzoi lidhjet me ish-zyrtarin e FBI për të sulmuar opozitën dhe se ka krijuar hapësira për investime ruse në vend.
Sali Berisha
“Imagjinoni ju një vrasës me pagesë që merr para nga kryeministri për të vrarë opozitën shqiptare. Ju duhet ta dini edhe se Deripaska është një nga kompanitë sot, edhe sot që flasim, më prezente në Shqipëri. Është një nga kompanitë me të cilat ka përfituar statusin e investitorit strategjik, ka përfituar koncesione, ka përfituar tendera nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.”
Nga ana tjetër, Berisha ka përsëritur se ai nuk e njeh një prej personave të përfshirë në këtë çështje, Agron Nezën.
SALI BERISHA
“Agron Nezën, se ka një foto me mua, mund të jenë 100 mijë shqiptarë që kanë foto me Berishën por kjo s’do të thotë që i njoh. Kam njohur shumë prej familjes së tij, këtë jo.”
Por akuzat e opozitës janë hedhur poshtë nga mazhoranca dhe kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Sipas Ballës, kërkesa për mocion me debat ishte në shkelje të rregullores dhe bllokimi i seancës u përdor nga Partia Demokratike për të hequr vëmendjen nga çështja e Gërdecit dhe 21 janarit.
TAULANT BALLA
“Situata e krijuar sot në Kuvend ka lidhje me thirrjen në SPAK të djalit të Sali Berishës”
Ndërkaq, grupi i deputetëve demokratë të udhëhequr nga Enkelejd Alibeaj pas seancës së sotme njoftoi se do të kërkojë shkarkimin e Lindita Nikollës nga posti i kryetares së kuvendit. Në një njoftim për mediat, deputetët demokratë sqaruan se sjellja e kryetares së kuvendit gjatë seancës së sotme tregoi se parlamenti nuk po funksionon në mënyrë demokratike dhe për këtë arsye ata do të kërkojnë shkarkimin e saj.