Skip to content

Debate të forta në Këshillin Kombëtar të PD! Berisha “përplaset me Kuçanën, çfarë tensionoi demokratët

Debatet kanë shoqëruar mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, pasi kryetari i PD-së, Sali Berisha, nuk pranoi që në rendin e ditës të përfshihej projekt-rezoluta e paraqitur nga anëtarja e Këshillit Kombëtar, Ilirjana Kuçana.

Pasi Berisha prezantoi kandidaturat për postet kyçe në parti, Kuçana kërkoi fjalën, duke theksuar se e kishte depozituar projekt-rezolutën 24 orë më parë dhe kërkoi që ajo të diskutohej nga Këshilli Kombëtar.

“Të lutem, kam një kërkesë që e kam depozituar 24 orë para. Ne jemi anëtarë të Këshillit Kombëtar”, u shpreh Kuçana.

Kërkesa u kundërshtua nga drejtuesja e mbledhjes, Julja Emiri, e cila sqaroi se Këshilli Kombëtar kishte një rend dite të miratuar dhe se procedurat statutore nuk lejonin shqyrtimin e rezolutës në atë moment.

“Në rend dite sot është një program i përcaktuar dhe do të vazhdojmë fillimisht me të”, tha Emiri.

Në debat ndërhyri edhe Sali Berisha, i cili iu drejtua Kuçanës duke i kujtuar se paraqitja e rezolutave rregullohet nga Statuti i Partisë Demokratike.

“Iliriana, paraqitja e rezolutave ka rregullin e vet. Absolutisht do të kesh të drejtë të paraqesësh sa herë të duash, por vetëm sipas rregullit. Lexoje statutin… Nuk mund ta shkruajmë statutin këtu tani. Të kam kthyer përgjigje dhe të kam thënë: ndiqe statutin”, deklaroi Berisha.

Pavarësisht insistimit të Kuçanës, drejtuesit e mbledhjes nuk e hodhën në votim projekt-rezolutën, duke argumentuar se shqyrtimi i saj duhet të bëhet sipas procedurave të përcaktuara në Statutin e Partisë Demokratike.
Debati:

Ilirjana Kuçana: Të lutem ke një kërkesë, që e kam depozituar 24 orë para. Ne jemi anëtarë të Këshilit Kombëtar.
Julia Emiri: Patjetër, po statuti sot ka rend dite. Ka një rend dite dhe do të zbatohet fillimisht rendi i ditës dhe këtë përgjigje ju kam dhënë.
Berisha: Iliriana, mos e nis… Një minutë. Jo, një minutë, një minutë. Një minutë. Po ju flas të kthej përgjigjen. Paraqitja e rezolutave ka rregullin e vet. Absolutisht do kesh të drejtë të paraqesësh sa herë të duash, po vetëm sipas rregullit. Lexoje statutin tani… Iliriana, edhe një herë. Më fal, një minutë.
Julia Emiri: Sot ka një rend dite dhe do vazhdojmë fillimisht me rendin e ditës.

Çfarë parashikon projekt-rezoluta?

Projekt-rezoluta e Ilirjana Kuçanës përmban një paketë propozimesh dhe kritikash për mënyrën e funksionimit të Partisë Demokratike.

Në planin politik, dokumenti kërkon që PD të deklarojë mbështetje pa kushte për protestat qytetare kundër qeverisë, duke u bërë thirrje anëtarëve dhe mbështetësve t’u bashkohen atyre si qytetarë, pa marrë përsipër organizimin e protestave. Rezoluta propozon gjithashtu që partia të mbështesë zyrtarisht kërkesat e protestuesve, përfshirë dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike, si edhe të dënojë dhunën policore ndaj protestuesve.

Dokumenti përmban edhe kritika për funksionimin e brendshëm të PD-së. Sipas Kuçanës, partia është larguar nga parimet e Rithemelimit dhe procesi i hapjes ka prodhuar “një bunkerizim të ri” të kupolës drejtuese.

Një tjetër pikë lidhet me listën përfundimtare të anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Autorja pretendon se lista nuk përputhet me atë të miratuar nga Kuvendi Kombëtar dhe kërkon rikthimin e listës së votuar, si edhe marrjen e masave ndaj personave përgjegjës për ndryshimet.

Rezoluta kërkon gjithashtu transparencë në përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve dhe sekretariateve, ngritjen e një Forumi të Intelektualëve dhe një Forumi Studentor, si edhe vendosjen e një standardi etik që ndalon mbajtjen e funksioneve drejtuese nga individë me interesa biznesi të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me qeverinë.