Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në një prononcim për mediat deklaroi se për sa kohë deputetët që marrin pjesë në Komisione nuk janë vaksinuar plotësisht, mbledhjet do vijojnë të zhvillohen online.

Balla shtoi se hallet që PD ka brenda po i bën deputetët që të krijojnë problematika të panevojshme.

“E kuptoj që hallet brenda në shtëpi i shtyjnë të krijojnë problematika të panevojshme në mënyrën e sjelljes. Praktika e zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve online mendoj se do të vijoj për raste të caktuara, por kur të bëhet fjalë për seancë dëgjimore me ministra apo çështje që kërkojnë një debat.

U bëj thirrje shpirtrave të trazuar në PD që kjo çështje është e qartë, u bëj thirrje deputetëve që nuk e kanë ushtruar këtë detyrim për të kryer vaksinimin me dy doza, sepse mendoj se edhe Shqipëria në një fazë të mëtejshme do të shkojë te faza e tretë, dhe javën tjetër konferenca e kryetarëve do të japë dritën jeshile për zhvillimin në mënyrë tradicionale.

Por javën e ardhshme çdo deputetët duhet të jetë i vaksinuar për të marrë pjesë në seancë. Për këtë çështje duhet të shprehet edhe PD, por nga çfarë është diskutuar kemi rënë dakord që pjesëmarrja duhet të jetë me certifikatë vaksinimi, apo në raste që mjekët nuk rekomandojnë vaksinimin, por duhet të jesh i pajisur me test PCR të 48 orëve të fundit”, tha Balla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re