Pas rreth dy orësh është mbyllur mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Mbledhja nisi me fjalën e kreut të PD Sali Berisha ndërsa diskutimet vijuan më pas me dyer të mbyllura.

Dhe një pikë e nxehtë e debatit ka qenë zgjedhja e Avokatit të Popullit.

Është zgjedh Avokat i Popullit, një SOROS-ist me firmat e PD. Të ngrihet Komision Hetimor për mënyren sesi u morën firmat për Shabanin”, tha ndër të tjera Aulon Kalaja.

Pjesë nga diskutimet:

Sali Berisha: Ne do të përqendrojmë diskutimet vetëm tek kjo temë. Çdo anëtar është i ftuar të shprehë sugjerimet, mendimet, kritikat, duke mbetur parti e fjalës së lirë. Sot do të fokusohemi tek organizimi i protestës. Kjo protestë është vetëm fillimi.

Edi Paloka: Nisma nga 17 anëtarë të Këshillit Kombëtar. Propozoj, meqë sot tema është protesta, të ngrihet një grup pune ndërkohë dhe ta diskutojmë në mbledhjen më të parë.

Lisander Hoxha: Ne besojmë që Soros është kancer për demokracinë; jo vetëm për Shqipërinë; SHBA etj. Në mesin tonë është e papranueshme të kemi njerëz të lidhur me këtë organizatë.

Aulon Kalaja: Jam dakord me Lisandrin. SOROS duhet të shpallet non grata nga qeveria e ardhshme. Mendoj se PD duhet të shkojë më djathtas, duhet të jemi konservator jo të themi që jemi parti e qendrës së djathtë. Është zgjedh Avokat i Popullit, një SOROS-ist me firmat e PD. Të ngrihet Komision Hetimor për mënyren sesi u morën firmat për Shabanin.

Flamur Noka: Janë ndarë grupet e punës për organizimin e protestës së 22 dhjetorit. Do monitorohet kontributi i secilit.

Sali Berisha: Ju ftoj përsëri që secili prej nesh të zhvendoset në orbite të re. Tani kemi qartësi që të ndërtojmë platformë antidiktatoriale, pasi karakteri represiv i regjimit, shndërrimi i zgjedhjeve në farsë është tashmë e konfirmuar ndërkombëtarisht. Diktaturat autokratike mund të zgjasin shume vite. Me votë ato nuk ikin. Platforma jonë bazohet tek ata njerëz që guxojnë. Tani është koha e përqëndrimit total e provës me këtë regjim. Degët duhet të rezistojnë. A i kemi thënë në armikut armik? Jo në masën e duhur. Ne nuk bojkotojmë parlamentin. Asgjë se zëvendëson protestën.

Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka do vazhdojnë takimet me kryetarët dhe sekretarët e degëve në selinë blu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re