Pas debateve të shumta për 2 figura të letërsisë shqiptare, Ernest Koliqi dhe Martin Camaj ka reaguar dhe Akademia e Shkencave e cila në fakt nuk ka cituar emrat e asnjë prej autorëve të mësipërm në deklaratën e saj publike, por i është referuar Kadaresë me një citim të tijin për Camajn.

“Akademia e Shkencave ka ndjekur debatin e ditëve të fundme për disa personalitete të rëndësishëm të letërsisë, shkencës dhe kulturës kombëtare. Akademia e Shkencave vlerëson se ky debat nuk ka të bëjë me vlerat dhe kontributet letrare dhe shkencore të personaliteteve për të cilët diskutohet”, thuhet në nisje të deklaratës së ASH-së, ndërsa e përmbyll dhe me fjalët e Kadaresë:
Është një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar…

Reagimi i Plotë:

Akademia e Shkencave ka ndjekur debatin e ditëve të fundme për disa personalitete të rëndësishëm të letërsisë, shkencës dhe kulturës kombëtare. Akademia e Shkencave vlerëson se ky debat nuk ka të bëjë me vlerat dhe kontributet letrare dhe shkencore të personaliteteve për të cilët diskutohet
Krijimtaria, kontributet dhe vlerat e trashëgimisë letrare, kulturore e shkencore janë për Akademinë e Shkencave kriter themelor për vlerësimin e personaliteteve të botës shqiptare. Ne do të mirëprisnim çdo debat për një problematikë të tillë me objekt të mirëfilltë shkencor.

Në këtë optikë përgjegjësie institucionale, Akademia e Shkencave e ka shprehur qendrimin e vet ndaj vendit që kanë në historinë e letërsisë këta personalitete përmes kërkimeve cilësore në formën e monografive, artikujve shkencorë dhe botimeve enciklopedike të shumë anëtarëve të saj, që qendrojnë mbi përditshmërinë e debateve mediatike.

Akademia rikonfirmon vlerën e këtyre kontributeve dhe në mënyrë të përmbledhur zgjedh të shqiptohet me fjalët e akademikut Ismail Kadare:

Eshtë një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar. Ishte po aq i fisëm në veprën e tij, sa edhe në vizionin për raportet njerëzore brenda familjes së shkrimtarëve. Këto të fundit, për fat të keq, vazhdojnë të jenë kaq munguese në jetën tonë.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re