Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka ngritur disa shqetësime në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave ku Denar Biba prezantoi raportin e Autoritetit të Konkurrencës.

Jorida Tabaku

Tabaku ngriti shqetësimin se ndryshe nga sa pretendon qeveria se Fiskalizimi ka përfshirë edhe sektorin e hidrokarbureve, e vërteta sipas Gjykatës Kushtetuese është se ky sektor nuk është i fiskalizuar.

Tabaku tha se ka kërkuar tek Ministria e Financave dhe Ekonomisë një raport për marshin e fitimit të kompanive të karburanteve dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Nga ana tjetër ajo shtoi se ministrja Ibrahimaj është shprehur se fiskalizimi si proces është i implementuar plotësisht tek sektori hidrokarbureve.

Më tej Tabaku theksoi se Autoriteti i Konkurrencës nuk ka mbrojtur interesin publik në lidhje me dy projekte që janë debatuar në publik. “Debati mbi Portin e Durrësit që sipas letrave dhe shkëmbimeve publike me Komisionerin e Zgjerimit të BE, Varheleyi, kanë qenë në shkelje të konkurrencës nuk morën asnjë reagim nga Autoriteti Konkurrencës. Së dyti, aeroporti i Vlorës që gjithashtu është shënjuar në Progres Raportin e BE si një kontratë në shkelje të konkurrencës.

Si ka mundësi, që juve nuk jeni shprehur në lidhje me dy projektet si Porti i Durrësit dhe Aeroporti i Vlorës ku edhe Bashkimi Europian është shprehur se është shkelur konkurrenca dhe MSA?”, tha Tabaku.

Tabaku u shpreh e shqetësuar për mungesën e reagimit të Autoritetit të Konkurrencës në lidhje me Tenderat pa Garë dhe konkurrimet fiktive në garat e hapura në fushën e prokurimeve publike.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re