Shqipëria ende nuk e ka të shtruar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Këtë të hënë u zhvillua një seancë e Parlamentit Europian, kur eurodeputetët ndanë mendime të ndryshme. Eurodeputeti Thierry Mariani u shpreh se politikat që po ndjek aktualisht Shqipëria drejt anëtarësimit në BE nuk janë të duhurat dhe të njëjta me ato të unionit.

Sipas tij, teksa argumentoi qëndrimin kundër zgjerimit të BE-së ai shtoi se Shqipëria është një pikë qendrore e influencës turke në rajon. “Ne jemi kundër zgjerimit të BE dhe pyetja tani është për Shqipërinë për sa i përket instrumenteve përpara zgjerimit.

Shqipëria është një pikë qendrore e influencës turke në rajon. Dua të përmend 5 mësues në mars në Kosovë të cilët u rrëmbyen dhe u dërguan në Turqi.
Inteligjenca Turke kishte edhe partnerë shqiptarë. Ne nuk mendojmë që politikat që kanë zgjedhur këto momente janë të duhura dhe ato të njëjta me BE. Duhet të tregohemi më të ndershme për sa i përket Shqipërisë.

Kur dëgjoj David Legën për korrupsionin, krimin në Shqipëri, pse lodhemi me Shqipërinë. Kemi nevojë për një marrëveshje, por Shqipëria nuk ka vokacion të hyjë në BE”, tha ai.

Por kreu i komisionit, David McAllister vlerësoi në hapje të diskutimit marrëveshjen për Reformën Zgjedhore të arritur në shqipëri. Marrëveshja për Reformën që u arrit në Shqipëri ishte një parakusht i rëndësishëm për nisjen e bisedimeve.

Vendi ka hedhur ndërkohë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm. Por fatkeqesisht, konfrontimi politik është ende i dukshëm në Shqipëri – tha McAllister, teksa shtoi se forcat politike në Shqipëri duhet të hedhin pas shpine politikat e bojkotit dhe të fokusohen tek Rruga Evropiane e vendit.

Ndërsa shefja e operacionit ndërkombëtar të monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera, shprehu keqardhjen për shembjen e Teatrit Kombëtar pa dialog dhe në anën tjetër theksoi se Shqipëria duhet të vijojë dialogun për të çuar përpara reformat.

Të tjerë europarlamentarë u ndalën tek paketa anti shpifje, për të cilën kërkuan kujdes ndërkohë që kujtuan edhe një herë se pa hetuar dhe luftuar krimin e korrupsionin, negociatat nuk do të mund të fillojnë.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re