Skip to content

Debati për një gotë alkool përfundoi tek të shtënat – Incidenti në Mullet, 53-vjeçari qëlloi me armë pasi kamarieri refuzoi t’i shërbente

1 5 1

Një debat për një gotë alkool përfundoi me të shtëna me armë zjarri në ajër dhe arrestimin e një 53-vjeçari në Mullet, në periferi të Tiranës.

Fatjon Çeliku, banor i fshatit dhe klient i lokalit, kishte shkuar në ambientin ku ndodhej edhe 23-vjeçari me inicile A.H. teksa shërbente në këtë biznes familjar dhe kishte kërkuar të konsumonte alkool. Por i riu nuk pranoi t’i shërbente, pasi Çeliku njihej në zonë si person problematik.

Refuzimi solli një debat mes tyre. Pas konfliktit, 53-vjeçari u largua nga lokali dhe shkoi në banesën e tij, ku dyshohet se mori një pistoletë që e posedonte pa leje.

Pak më vonë, Çeliku u rikthye pranë lokalit ku ndodhej 23-vjeçari dhe qëlloi me armë zjarri në ajër, dyshohet me qëllim kanosjen e të riut.

Pas njoftimit për të shtënat, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 shkuan menjëherë në vendngjarje. Falë ndërhyrjes së shpejtë, u parandalua përshkallëzimi i konfliktit dhe 53-vjeçari u arrestua në flagrancë.

Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi edhe pistoletën.