Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave të ambasadës së SHBA dhe BE, të cilat mohuan ndërmjetësimin për reformën zgjedhore.

Basha në  deklaratën e tij shpreh mirënjohje për mbështetjen që partnerët strategjik të Shqipërisë i japin procesit të reformës zgjedhore.

Sipas tij, falë edhe kësaj mbështetje Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të nisë punën së shpejti.

“Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë përsëris mirënjohjen time për mbështetjen që partnerët strategjikë të Shqipërisë, SHBA, BE dhe MB si edhe OSBE-ODIHR i japin procesit të reformës zgjedhore në Shqipëri. Falë edhe kësaj mbështetje, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të nisë punën së shpejti. Listat e hapura, barazia e votës, vota e diasporës dhe votimi dhe numërimi elektronik janë prioritetet e Partisë Demokratike të mishëruara në paketën e propozimeve ligjore të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë. Koha për t’ju dhënë shqiptarëve një Kod Zgjedhor pa hile dhe pengesa për lirinë dhe barazinë e votës!”, thuhet në reagimin e Bashës.

Kujtojmë që ambasadat e SHBA dhe BE mohuan pretendimet e Lulzim Bashës se kanë ndërmjetësuar për reformën zgjedhore.  Në përgjigje të News24, ambasadat thanë se takimet me anëtarë të parlamentit janë pjesë e angazhimit diplomatik.

Reagimi i ambasades se SHBA

Pyetje: Z. Basha pas seancës plenare, në një deklaratë për mediat, njoftoi se me ndihmën e Ambasadës suaj, ka bindur PS që të arrijë dakordësin me Enkelejd Alibejan (bashkëkryetar I Reformës Zgjedhore) për Reformën Zgjedhore. A mund të konfirmoni nëse keni ndërmjetësuar ju dakordësinë që Lulzim Basha pretendon se është arritur mes Damian Gjiknurit dhe Enkelejd Alibeaj? A mund të na jepni detaje mbi negociatat e zhvilluara.

Përgjigja e Ambasadës së SHBA: Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim.

Reagimi i ambasades se BE

“Në përgjigje të raportimeve që qarkullojnë në media, dëshirojmë të sqarojmë se ndërkohë që BE-ja nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Siç e kemi thënë edhe më parë, përfshirë edhe Raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve’, thuhet në reagim.

 

Çfarë deklaroi Basha mbrëmë?

Kreu i PD, një ditë më parë (16 janar) në një prononcim për mediat, është shprehur se PD “në bashkëpunim me aleatët strategjik të Shqipërisë, Partia Demokratike ia ka dalë të bindë palën tjetër për nisjen e punës për reformën zgjedhore”.

“Në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar ia kemi dalë të marrim një hap të parë modest për largimin e papërgjegjshmërisë politike përmes reformës zgjedhore dhe në bashkëpunim me aleatët strategjik të Shqipërisë, Partia Demokratike ia ka dalë të bindë palën tjetër për nisjen e punës për reformën zgjedhore”, deklararoi Basha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re